18.1 C
New York
Tuesday, April 15, 2025

Buy now

Incidenti ndaj KF Tërnocit në Serbi, FSHF reagon ashpër

- Advertisement -

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar zyrtarisht pas incidentit të ndodhur më 6 prill në Bosilegrad, ku futbollistët e klubit shqiptar KF Tërnoci janë përballur me dhunë dhe kërcënime gjatë një ndeshjeje të kampionatit në ligën e pestë të Serbisë.

Ngjarja ndodhi pas përfundimit të sfidës mes KF Tërnocit dhe ekipit Mladost, ku sipas pamjeve të publikuara në media dhe deklaratës së vetë klubit, forcat policore serbe kanë hyrë në fushën e lojës dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj futbollistit Veton Zeqiri, si dhe kanë ofenduar dhe kërcënuar pjesëtarë të tjerë të skuadrës. Më pas, policia ka bastisur edhe dhomat e zhveshjes, duke kontrolluar sendet personale të lojtarëve.

Në lidhje me këtë rast, FSHF i është drejtuar me një letër zyrtare Federatës Serbe të Futbollit (FFS), ku ka shprehur shqetësimin për ngjarjen dhe ka kërkuar sqarim të plotë.

“Ndajmë shqetësimin tonë në lidhje me një incident të ndodhur së fundmi me ekipin KF Tërnoci gjatë ndeshjes së zhvilluar më 6 prill në Luginën e Preshevës…”, thuhet në letrën e FSHF-së, ku theksohet se veprime të tilla cenojnë frymën e lojës së ndershme dhe sigurinë e pjesëmarrësve në gara sportive.

Federata Shqiptare nënvizon se ngjarje të tilla janë alarmante dhe se krijojnë pikëpyetje serioze mbi standardet e trajtimit të ekipeve dhe lojtarëve në aktivitetet futbollistike, sidomos në kohën kur përgatitjet për UEFA Euro U21 2027 po intensifikohen.

Në vijim të letrës, FSHF i bën thirrje Federatës Serbe që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të garantuar një ambient të sigurt dhe të drejtë për të gjithë aktorët e përfshirë në futboll.

“Në këtë kontekst, ju drejtohemi me mirëkuptim dhe respekt për të kërkuar që Federata e Futbollit e Serbisë të shqyrtojë me vëmendje këtë çështje…”, përfundon reagimi zyrtar i FSHF-së.

Të ngjashme

Të fundit