Analisti politik dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka kritikuar ashpër zhvillimet politike në vend, duke deklaruar se proceset politike nuk janë zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe se qytetarët po përballen me një polarizim të madh shoqëror.
Në emisionin “Adresa”, Deda tha se debatet për emra dhe përzgjedhje politike janë të pavlera kur, sipas tij, nuk ka ekzistuar një proces i mirëfilltë politik.
“Na e dimë të vërtetën, nuk ka pas proces. Është marrë me muaj me bërtima kush ka pru emra e kush jo, kur në fakt nuk ka pas proces”, deklaroi ai.
Sipas Dedës, vendimet politike janë marrë përmes takimeve të ngushta mes partive dhe jo përmes një procesi transparent e demokratik.
“Nuk ka pas proces politik. Ka pas takime të opozitës, por ajo nuk është proces. Ajo nuk është përgjigje për përzgjedhje”, u shpreh ai.
Ai foli edhe për gjendjen në shoqëri, duke thënë se tensionet dhe ndarjet politike janë bërë shqetësuese dhe se qytetarët po manipulohen me argumente të kota politike.
“Mu vjen keq. Gati 30 vjet liri dhe populli ynë vazhdon me u përça me budallakina. Njerëzit nuk po dojnë me ndëgju realitetin”, tha Deda.
Tutje, ai kritikoi arsyetimet politike që bazohen vetëm në përqindje votash apo mbështetje elektorale, duke thënë se argumente të ngjashme janë përdorur edhe në të kaluarën ndaj liderëve të tjerë politikë.
Deda bëri thirrje për më shumë debat me argumente reale dhe më pak tensione politike, duke shtuar se shoqëria ka nevojë për reflektim dhe qetësi politike.
“Dikush duhet me fillu me thanë boll ma”, përfundoi ai.






