Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se nga 16 prilli deri më 11 tetor 2026, në Kosovë janë konfirmuar 203 raste me fruth, prej të cilave 17 vetëm gjatë javës së fundit.
Sipas IKShPK-së, mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara i përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.
Instituti thekson se vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme dhe më efikase për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të komunitetit, raporton Klankosova.tv
“Për këtë arsye, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar edhe vaksinimin e vonuar (catch-up), për fëmijët që për arsye të ndryshme e kanë shtyrë atë. Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,265 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç, duke konfirmuar ndërgjegjësimin e lartë dhe angazhimin e prindërve për të siguruar shëndetin e fëmijëve të tyre. IKShPK vlerëson lart kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve për rritjen e shkallës së vaksinimit. Çdo fëmijë i vaksinuar është një jetë më shumë e mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes definitive të përhapjes së fruthit”, thuhet në njoftimin në Facebook.






