Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përfaqësues Ehat Miftarajn- drejtor ekzekutiv në IKD, ka ushtruar padi në Gjykatën Supreme ndaj Ministrisë së Financave, duke kërkuar të shpallet i paligjshëm dhe të shfuqizohet paragrafi 2 i nenit 50 të Rregullores për Rregullimin e Marrëdhënies së Punës për Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës, që ka të bëjë me ndryshimin e statusit të personave që kanë akt-emërime pa afat.
Sipas IKD-së, kjo dispozitë duhet të shfuqizohet si e kundërligjshme.
Fillimisht, në padi sqarohet se më 14 dhjetor 2023, Kuvendi miratoi Ligjin Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, i cili Ligj përmes nenit 79, rregullonte emërimin dhe mandatin e pozitave drejtuese në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), raporton “Betimi për Drejtësi“.
Paragrafi 2 i këtij neni, thuhet se përcaktoi mandat katër vjeçar, me mundësi vazhdimi, për emërimet në pozitat drejtuese të përcaktuara në nënparagrafët 1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4, pas zhvillimit të procedurave të rekrutimit të përcaktuara me ligj.
Në anën tjetër, sipas IKD-së, paragrafi 4 i nenit 79 përcaktoi që zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm dhe drejtorëve të departamenteve qendrore e rajonale, të cilët mbanin akt-emërime pa afat, t’u përfundonte mandati një vit pas hyrjes në fuqi të Ligjit. Paragrafi 6 përcaktoi rikthimin në pozitën paraprake vetëm për ata të cilëve nuk u vazhdohej mandati dhe që kishin pasur pozitë paraprake në ATK.
Më pastaj, thuhet se më 8 mars 2024, zyrtarët drejtues të ATK-së me akt-emërime pa afat iu drejtuan Institucionit të Avokatit të Popullit, duke pretenduar se përfundimi ex lege i mandateve të tyre cenonte të drejtat e fituara, sigurinë juridike dhe mbrojtjen kushtetuese të pronës. Pas kësaj, Avokati i Popullit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë.
Andaj, Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e publikuar më 8 maj 2025, konstatoi se paragrafët 4 dhe 6 të nenit 79 të Ligjit Nr. 08/L-257 nuk janë në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe i shpalli të pavlefshëm.
“Në paragrafin 260 të Aktgjykimit KO159/24, Gjykata Kushtetuese sqaroi se mandati katër (4) vjeçar i përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 79 afekton punonjësit që emërohen apo përzgjidhen në pozita drejtuese në ATK pas hyrjes në fuqi të Ligjit. Ndërsa në paragrafin 281, në pjesën për efektet e Aktgjykimit, Gjykata përcaktoi shprehimisht se zbatimi i nenit 79, në kuptim të përfundimit të mandateve të pozitave drejtuese të përcaktuara me nënparagrafët 1.2, 1.3 dhe 1.4, nuk mund të bëhet pa plotësim-ndryshimin e kësaj dispozite nga Kuvendi, në pajtim me gjetjet e Aktgjykimit dhe me Kushtetutën”, citohet në padi.
Sipas padisë, pavarësisht se Kuvendi nuk e plotësoi dhe ndryshoi nenin 79 sipas kërkesës së shprehur të Kushtetueses, Ministri i Financave, me vendimin e datës 27 prill 2026, miratoi Rregulloren (MF) Nr. 01/2026 për Rregullimin e Marrëdhënies së Punës për Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës.
Në padi thuhet se paragrafi 2 i nenit 50 të Rregullores, i cili është objekt i kësaj padie, përcakton: “Përjashtimisht Drejtorit të Përgjithshëm mandati të cilit është i përcaktuar se kur përfundon, të gjitha pozitave të tjera drejtuese nga hyrja në fuqi e Ligjit, aktet aktuale të emërimit pa afat, ju shndërrohen në akte emërimi me mandat katër (4) vjeçar, me mundësi vazhdimi edhe të një mandati tjetër katër (4) vjeçar, me kusht që të njëjtit të arrijnë vlerësimin e performancës me notë së paku ‘mirë’ që nënkupton përmbushjen e të gjitha objektivave të punës.”
IKD thekson se neni 51 i Rregullores përcakton pasojën e këtij shndërrimi: pas mandatit të parë, zyrtarët të cilëve nuk u vazhdohet mandati sistemohen në pozitën paraprake, nëse kanë pasur, ose në një pozitë të lirë të një kategorie më të ulët drejtuese; ndërsa pas dy mandateve sistemohen në një pozitë më të ulët drejtuese ose, në mungesë të saj, në një pozitë të kategorisë së zyrtarit tatimor.
Kështu, thuhet se neni 50, paragrafi 2, e ndryshon drejtpërdrejt dhe automatikisht statusin juridik të personave që kanë akt-emërime pa afat, ndërsa neni 51 materializon pasojat e këtij ndryshimi.
Megjithatë, objekt i kësaj padie është vetëm paragrafi 2 i nenit 50 të Rregullores, përkatësisht ndryshimi i statusit të personave që kanë akt-emërime pa afat.
Paditësi konsideron se paragrafi 2 i nenit 50 të Rregullores është i kundërligjshëm, sepse përmes një akti nënligjor krijon një dispozitë të re ligjore kalimtare, ndryshon akt-emërimet ekzistuese pa afat, tejkalon autorizimin që buron nga Ligji Nr. 08/L-257, bie ndesh me përmbajtjen e nenit 79 që ka mbetur në fuqi dhe shpërfill efektet detyruese të Aktgjykimit KO159/24.
Sipas IKD-së, aktet nënligjore janë juridikisht të vlefshme vetëm nëse mbështeten dhe harmonizohen me ligjin. Dhe se një akt nënligjor nuk mund ta zëvendësojë dispozitën ligjore të shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, e cila konfirmoi kompetencën ekskluzive të Kuvendit dhe jo Ministrisë.
Aty thuhet se paragrafët 4 dhe 6, janë shpallur të pavlefshme. Andaj, për rrjedhojë, në ligjin në fuqi nuk ekziston më dispozitë që autorizon përfundimin, kufizimin apo shndërrimin e akt-emërimeve ekzistuese pa afat.
“Paragrafi 7 i nenit 79, sipas të cilit “rregullat e hollësishme për zbatimin e këtij neni përcaktohen me akt nënligjor”, nuk e mbulon ndërhyrjen e bërë me paragrafin 2 të nenit 50. Autorizimi për rregulla të hollësishme lejon vetëm operacionalizimin e një norme ligjore ekzistuese. Ai nuk i jep Ministrit kompetencë që ta krijojë vetë rregullin material që mungon në ligj, përkatësisht që akt-emërimet pa afat të konsiderohen ex lege si mandate katërvjeçare”, thuhet në padi.
Në padi thuhet se shndërrimi i një akt-emërimi pa afat në akt-emërim me afat e ndryshon elementin themelor të marrëdhënies së punës: kohëzgjatjen e saj në pozitën drejtuese.
“Në paragrafin 260 të Aktgjykimit KO159/24, Gjykata ka theksuar se mandati katërvjeçar sipas paragrafit 2 të nenit 79 afekton punonjësit që emërohen apo përzgjidhen në pozita drejtuese pas hyrjes në fuqi të Ligjit. Rregullorja bën të kundërtën: të njëjtin mandat ua imponon personave që janë emëruar më herët me akt-emërime pa afat”, thuhet në padi.
Sipas IKD-së, neni 79, paragrafët 2 dhe 3, e lidh emërimin me mandat katërvjeçar me një procedurë rekrutimi: konkurs të jashtëm, konkurs të brendshëm ose rizgjedhje përmes vazhdimit të mandatit.
Kurse, paragrafi 2 i nenit 50 të Rregullores së kontestuar nuk parasheh asnjërën nga këto procedura. Por e konsideron të krijuar një akt-emërim të ri me afat vetëm për shkak të hyrjes në fuqi të Ligjit.
Kështu, sipas IKD-së, Rregullorja jo vetëm që ndryshon aktet ekzistuese pa bazë ligjore, por anashkalon edhe kushtet që vetë Ligji i ka përcaktuar për krijimin e një mandati katërvjeçar.
As paragrafi 5 i nenit 79, i cili përcakton se pas katër viteve Drejtori i Përgjithshëm vepron në përputhje me këtë nen për përzgjedhjen e pozitave të tjera drejtuese, IKD thotë se nuk mund të shërbejë si bazë për dispozitën e atakuar.
Kjo normë, në padi thuhet se rregullon veprimin e ardhshëm të Drejtorit në procedura të përzgjedhjes, por nuk thotë se akt-emërimet ekzistuese pa afat shndërrohen automatikisht.
“Çdo interpretim tjetër përjashtohet shprehimisht nga paragrafi 281 i Aktgjykimit KO159/24, sipas të cilit përfundimi i mandateve të kategorive 1.2, 1.3 dhe 1.4 nuk mund të zbatohet pa plotësim-ndryshimin e nenit 79 nga Kuvendi”, thuhet në padi.
Aty IKD rikujton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
Përmes kësaj padie, IKD kërkon kontrollin e ligjshmërisë së Rregullores ndaj përmbajtjes së Ligjit që ka mbetur në fuqi dhe ndaj efekteve juridikisht detyruese të aktgjykimit.
Pala paditëse thotë se në përmbajtje, paragrafi 2 i nenit 50 e rikthen efektin juridik të paragrafit 4 të nenit 79 (i cili tanimë nuk ekziston), ndonëse me një afat tjetër.
“Dispozita ligjore e shpallur e pavlefshme ua përfundonte mandatin ekzistues pas një viti; dispozita nënligjore ua përfundon statusin pa afat duke e shndërruar në mandat katërvjeçar. Dallimi në kohëzgjatje nuk e ndryshon faktin se të dyja normat veprojnë mbi të njëjtën kategori personash, e ndryshojnë të njëjtën të drejtë të fituar dhe prodhojnë të njëjtin rezultat juridik: përfundimin e akt-emërimit pa afat pa një bazë të vlefshme ligjore”, thuhet në padi.
Sipas padisë, në paragrafin 281, Kushtetuesja në aktgjykim përcaktoi shprehimisht se për ATK-në duhet plotësim-ndryshimi i nenit 79 nga Kuvendi.
Andaj, IKD thotë në padi se aktgjykimi KO222/24 mund t’i shërbejë Kuvendit si standard për hartimin e një dispozite të re ligjore, por nuk mund t’i shërbejë Ministrit si burim autonom kompetence.
Gjithashtu, në padi thuhet se dispozita e atakuar është e kundërligjshme edhe për shkak të efektit të saj prapaveprues.
Sipas padisë, Rregullorja është nënshkruar më 27 prill 2026 dhe është publikuar më 13 maj 2026, ndërsa paragrafi 2 i nenit 50 e llogarit mandatin katërvjeçar “nga hyrja në fuqi e Ligjit”, përkatësisht nga 27 janari 2024.
Kështu, në padi thuhet se në ditën kur zyrtarët janë njoftuar me Rregulloren, më shumë se dy vjet të mandatit të krijuar rishtazi konsiderohen të kaluara. Andaj, kjo nuk është periudhë kalimtare katërvjeçare e parashikueshme, por shkurtim retroaktiv i saj, pa autorizim ligjor.
Po ashtu, sipas padisë, neni 79, paragrafi 1 i Ligjit i njeh si pozita drejtuese Drejtorin e Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e departamenteve qendrore e rajonale. Kurse, Rregullorja, përmes nenit 48, kësaj liste i shton udhëheqësit e divizioneve, ndërsa paragrafi 2 i nenit 50 shtrihet mbi “të gjitha pozitat e tjera drejtuese”.
Kështu që, dispozita e atakuar prek edhe kategori për të cilat neni 79 nuk ka dhënë autorizim për rregullim të mandatit.
As Ligji i Punës dhe as Ligji për Qeverinë, të cituara në preambulën e Rregullores, IKD përmes padisë thotë se nuk përmbajnë autorizim specifik për shndërrimin e akt-emërimeve pa afat të zyrtarëve drejtues të ATK-së. Kështu, këto dispozita nuk mund ta zëvendësojnë autorizimin e munguar ligjor.
“Kjo qasje është në përputhje edhe me praktikën e Gjykatës Supreme për kontrollin e ligjshmërisë së akteve nënligjore normative. Në Aktgjykimin P.A.nr.06/2025, Gjykata shfuqizoi dispozitën e Rregullores së Punës së KPM-së e cila kishte krijuar një moment juridik që Ligji për KPM-në nuk e njihte. Në Aktgjykimin P.A.nr.4/2026, Gjykata shfuqizoi dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2024 që kishin krijuar një obligim material pa bazë të mjaftueshme në Ligjin për Shëndetësi. Ndërsa në Aktgjykimin P.A.nr.2/2026, Gjykata aprovoi padinë ndaj dispozitave të Rregullores së Universitetit të Prishtinës që cenonin sigurinë juridike dhe pritshmëritë legjitime përmes rregullave pa mbështetje të mjaftueshme në aktin më të lartë“, thuhet në padi.
Bazuar në këto, paditësja vlerëson se qartazi rezulton që paragrafi 2 i nenit 50 të Rregullores ka krijuar pa bazë ligjore një dispozitë kalimtare që shndërron akt-emërimet ekzistuese pa afat në mandate të caktuara, anashkalon procedurat e emërimit të përcaktuara me nenin 79, ka efekt prapaveprues, cenon sigurinë juridike dhe nuk respekton efektet detyruese të Aktgjykimit KO159/24.
Për rrjedhojë, IKD kërkon të aprovohet padia si e bazuar, të deklarohet i paligjshëm dhe të shfuqizohet paragrafi 2 i nenit 50 të Rregullores për Rregullimin e Marrëdhënies së Punës për Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës.
Po ashtu, kërkoi të obligohet e paditura që t’i paguajë shpenzimet procedurale në emër të taksës gjyqësore në shumën prej 250 euro, në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. /BetimipërDrejtësi/






