Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka kërkuar Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që të shpallë konkursin për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Përmes një komunikate, ky institut ka vlerësuar se shpallja e këtij konkursi dhe zhvillimi i një procesi meritor do të ishte një sinjal pozitiv për reformat në KPK.
IKD ka kujtuar kohen që Kosova është pa kryeprokuror.
“Kosova është pa Kryeprokuror të Shtetit që nga prilli i vitit 2022. Kështu, tani po bëhen katër vjet që kur Prokurori i Shtetit funksionon me u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit. Më 17 tetor 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nuk e ka dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK për Kryeprokuror të Shtetit, duke e kthyer këtë proces në KPK. Fatkeqësisht, që nga ajo kohë, KPK nuk ka vepruar në drejtim të zhvillimit të një procesi meritor dhe transparent për përzgjedhjen e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit”, thuhet në komunikatën e Institutit.
Ndër të tjera, IKD ka vlerësuar se KPK duhet të veprojë në këtë drejtim pas vonesa.
“Në të kundërtën, vazhdimi i kësaj gjendjeje do të thellonte më tej zbrazëtinë institucionale në krye të Prokurorit të Shtetit dhe do të dëmtonte besimin publik në funksionimin e pavarur dhe efektiv të vetë KPK. Prandaj, KPK duhet të veprojë pa vonesë për të nisur dhe zhvilluar një proces të rregullt, transparent dhe meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit”, është thënë në komunikatën e IKD.






