Identifikimi i tre veprimtarëve pas 27 vitesh, Haziri: E zbuluam mizorinë ndaj jush

- Advertisement -

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas identifikimit të mbetjeve mortore të tre veprimtarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Sali Mziu.

Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka thënë se identifikimi i tyre, pas më shumë se 27 vitesh, është zbardhje e një prej krimeve ndaj intelektualëve dhe atyre që udhëhoqën rezistencën në Skenderaj, Drenicë e Mitrovicë.

“Pas më shumë se 27 vitesh të zhdukur, lajmi i madh është se në mesin e 23 personave, mbetjet mortore të të cilëve janë zhvarrosur së fundmi në Mitrovicë, janë identifikuar edhe Idriz Rrecaj, kryetar dhe udhëheqës i LDK-së në Skënderaj dhe Drenicë, dhe Adem Beqiri, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Mitrovicë, veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, të cilët ishin në krye të rezistencës e kryengritjes për liri në Skënderaj e Mitrovicë, sikurse edhe mbetjet e bashkëveprimtarit të tyre, Sali Mziut”, ka shkruar Haziri.

Haziri ka përmendur kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Ata ishin veprimtarë e patriotë, idealistë e kontributdhënës të mëdhenj për liri e pavarësi, të cilët, me shembullin e tyre, na mësuan se si duhet atdheu. Rrugë e gjatë 27-vjeçare me mallin e pritjes. E zbuluam heroizmin tuaj e mizorinë ndaj jush. Shpirtrat e tyre bëjnë dritë në Republikën për të cilën u flijuan. Lavdi e përjetshme”, shkroi ai.

Të ngjashme

Të fundit