Para mëse 18 vite, diplomati norvegjez do të hartonte një raport rreth 24 faqe, raport ky i cili do të merrej si model këshilldhënës nga ish-Presidenti i Finlandës, Marti Ahtisaari, dhe të trajtohej ektstenzivisht. Në këtë raport, për herë të parë, gjejmë një paragraf, ku parashihej çështja që – sot e para 18 viteve – është mbasa arra më e pathyeshmja: Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe.
Çka është tejet indikative, është se Kai Eide, edhe në një kohë si viti 2005, kur Kosova ende s’e kishte arritur shpalljen e pavarësisë së saj, si Republikë sovrane më vete, ndonëse e kishte frazuar si “nevojë për një lidhje horizontale të komunave të banuara me shumicë serbe”, ai qysh atëherë specifikonte saktësisht se çfarë duhet të jetë karakteri i saj – në asnjë mënyrë jo entitet që cënon, rrezikon apo dobëson institucionet mbarë kombëtare-shtetërore të Kosovës.
“…nevojitet një pjoces më i gjerë decentralizimi. Mund të parasheh kompetenca të zgjeruara në fusha siç është policia, drejtësia, arsimi, kultura, media dhe ekonomia. Mund të lejojë lidhje horizontale për komunat të banuara me shumicë serbe të Kosovës. Kjo do të lejohet përthithjen e strukturave paralele (serbe) në entitete legjitime. Sidoqoftë, nuk duhet të rrezikojë institucionet qendrore të Kosovës ose të dobëzojë autoritetin e Prishtinës. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i gatshëm të ndihmojë në vendosjen e aranzhimeve për decentralizim më të gjerë”, shkruante ai në vitin 2005.
Nacionale ka biseduar me Kai Eide-n, sot, pas 18 viteve, për të na treguar se çfarë saktësisht paramendonte kur e kishte dhënë këtë propozim për “lidhje horizontale” dhe se a kishte ndërmend “autonomi territoriale” siç pandeh pala serbe?
“Jo”, është përgjigja kategorike e tij.
Se çfarë ka pasur ndërmend ai, thotë se përfshijnë “dy kushte themelore”.
“E para ishte që të mos afektojë kontrollin e Kosovës mbi territorin e saj, mbi sovranitetin e saj, si shtet; që do të thotë që kjo të mos jetë si njëfarë entiteti që ndofarë mase i përket dikujt tjetër; i përket Kosovës, institucioneve shtetërore të Kosovës. Kjo është abolutisht e qartë. Asgjë që do të afektonte autoritetin e përgjithshëm të institucioneve të Kosovës në territorin e saj”, ka thënë ai në intervistë me Nacionalen.
“Dhe, së dyti, brenda këtij konteksti. Qartazi se ka qenë, dhe duket që ende është, nevoja që komunat me shumicë serbe të jenë në gjendje të bashkëpunojnë rreth çështjeve të caktuara; ato lidhjet horizontale. Ato i kisha specifikuar kur nisa të shkruaj raportin që kishte të bënte me arsimin, shëndetësinë, dhe disa gjëra të tjera; dhe ma merr mendja që shtuam edhe diçka gjatë fundit të diskutimeve për raportin. Qëllimi këtu ishte që ta zgjdhnim punën e institucioneve paralele”.
Qysh atëherë, na thotë Kai Eide, s’mund të lejohet më që në Kosovë të operonin struktura paralele “që ishin nën kontroll të Beogradit”.
E se çfarë mendonte kur thoshte ai “lidhje horizontale për komunat të banuara me shumicë serbe”, Kai Eide, thotë se duhet pasur të qartë se mendonte “që të mos ketë interferim të padëshiruar nga Beogradi”.
Krejt kjo, “për t’u siguruar që të ekzistojnë mekanizma që zgjerojnë mundësinë që serbët brenda atij territori të mbrojnë interesat e tyre në ato zona që kemi identifikuar”. Se çfarë do të duhej të ishte ky Asociacionin, ai e shqipton më së theksueshmi se duhet të jetë “i KOSOVËS” dhe “brenda kornizës ligjore të Kosovës”.
“Ajo çfarë kam përsëritur çdoherë është që ajo duhet të jetë pjesë e kornizës së përgjithshme shtetërore të KOSOVËS, me Kushtetutën e Kosovës. E tërë potera që është bërë tregon mungesë gatishmërie për të negocuar, dhe më duhet të them se jam tejet i zhgënjyer që kjo çështje, qe 18 vite që kur është konceptuar, dhe i mirëpritur edhe nga Prishtina edhe nga Beogradi, dhe ende mbetet çështje e kontestuar. Mendoj se është simpotomë e diçkaje tjetër”.
Se si e shihte epilogun e kësaj gjëse, Kai Eide, shpresshëm shprehet se “me njohje të ndërsjellë”; që “Serbia ta njihte Kosovën”.
“Qëndrimi im atë kohë është se kjo do të ishte pjesë e një kornize ku pjesa përbërëse më e rëndësishme do të ishte Njohja e Ndërsjellë, Serbia ta njihte Kosovën si shtet. Dhe tash është nxjerrë nga ai konteskt dhe është zhvendosur në një kontekst tjetër, si një propozim Plan B”, ka thënë ai.