Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, ka kundërshtuar pretendimet e Qeverisë se këtë vit kemi buxhet rekord për komuna.
Ibrahimi ka krahasuar rritjen e buxhetit të sivjetmë dhe përqindjen e pjesëmarrjes në buxhetin total, e cila, sipas tij, është për 0.4% më e ulët sesa vitin e kaluar.
“Buxheti në shifra nominale është më i madh se i vitit të kaluar. Vitin e kaluar ishte rreth 868 milionë, ndërsa këtë vit rreth 908 milionë. Por, kur flasim se sa për qind e buxhetit është ndarë vitin e kaluar për komuna, që ishte 21.7%, ndërsa këtë vit është 21.3%, atëherë del se kemi më pak, për shkak se po të ndahej e njëjta përqindje e buxhetit si vitin e kaluar, atëherë komunave do t’u takonin rreth 927 milionë euro e jo 908 milionë sa janë tash. Përveç kësaj ndarjeje, Qeveria në buxhetin e vitit 2027 ka rritur pritjet për të hyrat vetanake të komunave për më shumë se 8 milionë euro, e që pothuajse është e pamundur të arrihen nga komunat për shkak të mosndryshimeve të domosdoshme ligjore nga Ministria e Financave”, ka thënë Ibrahimi.
Në anën tjetër, Ibrahimi ka thënë se granti i përgjithshëm, që është formulë ligjore e ndarjes së buxhetit për komunat, është rritur për rreth 40 milionë euro, kjo edhe për shkak të ngritjes së koeficientit për paga nga korriku i vitit të ardhshëm. Por, komunat kanë po ashtu rreth 9 milionë euro më pak nga granti për arsim dhe mbi 1.6 milionë euro më pak nga granti për shëndetësi.
“Sa i përket grantit për arsim, kemi rreth 9 milionë euro më pak. Sivjet janë ndarë 23 euro për nxënës për mallra dhe shërbime dhe 7 euro për investime kapitale, formulë e bërë prej vitit 2013 sa i përket grantit për arsim, dhe nëse Qeveria përnjëmend dëshiron reformë në arsim, kjo duhet të ndryshohet. 23 eurot e vitit 2013, kur është bërë ligji dhe kur janë bërë formulat e 7 eurove për investime kapitale, nuk e kanë vlerën e njëjtë sot, në vitin 2026. Dhe nëse do të hyhet në reforma, duhen edhe mjetet, ndërsa ne kemi më pak mjete dhe kjo është absurde”, ka shtuar Ibrahimi në EURO n’T7.






