Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, në emisionin EURO n’T7 ka thënë se niveli lokal është dukshëm më profesional se ai qendror.
Sipas tij, niveli i lartë i realizimit të investimeve kapitale që është në 82% krahasuar me planifikimin, tregon se komunat patën një performancë shumë të mirë, e që në përqindje është dukshëm më e mirë se niveli qendror.
“Edhe sa i përket planifikimit buxhetor, por edhe realizimit të investimeve kapitale, niveli lokal mund të merret si shembull se si planifikohet dhe si shpenzohet buxheti, dhe ky model është mirë të merret edhe nga niveli qendror për të treguar se si duhet punuar. Pra, sa i përket investimeve kapitale, komunat në përgjithësi kanë performuar shumë mirë, edhe përkundër faktit se nuk kanë pasur buxhet të mjaftueshëm për realizimin e shumë projekteve kapitale”, ka shtuar Ibrahimi.
Në anën tjetër, komunat sipas tij, vitin që shkoi por edhe këtë vit, janë ballafaquar me shumë probleme financiare për shkak të kontratës kolektive.
Sipas të dhënave, vitin që shkoi përmes procedurave përmbarimore, komunave u janë marrë nga investimet kapitale mbi 60 milionë euro, derisa këtë vit vetëm për këta muaj mbi 45 milionë euro.
“Komunat do të kishin edhe më shumë investime kapitale sikur mos të kishin këtë problemin me implementimin e kontratës kolektive, ku vitin e kaluar nga mjetet e investimeve kapitale atyre iu morën mbi 65 milionë euro, derisa vetëm për katër muaj këtë vit mbi 45 milionë. Shumë projekte të nisura nga niveli qendror kanë mbetur pa u përfunduar për shkak se niveli qendror, në mënyrë arbitrare, nga mjetet për investime kapitale u ka marrë mjetet komunave për pagesa për kontratë kolektive. Niveli qendror nuk i ka ndihmuar aspak komunat në këtë çështje, edhe pse ka pasur shumë takime”, ka pohuar Ibrahimi.
Gjatë vitit 2024, komuna me nivelin më të ulët të investimeve kapitale ka qenë ajo e Leposaviqit me vetëm 2%, derisa disa komuna realizimin e kanë pasur 100%.