Avokatja Adelina Hoxha, e cila e kishte mbrojtur Arlinda Zekajn para vrasjes së saj, ka rrëfyer detaje nga rastet dhe problemet me të cilat, sipas saj, ishte përballur e ndjera para se të vritej.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Hoxha ka treguar se Arlinda i kishte thënë në korrik se ishte ndarë nga burri dhe se ai e kishte nxjerrë nga shtëpia, ia kishte djegur rrobat dhe më pas ia kishte dërguar videon ku shihej duke ua vënë flakën rrobave në oborr.
“Arlinda në korrik ka thënë: ‘Unë jam ndarë nga burri’. Burri e ka nxjerrë nga shtëpia, ia ka djegur teshat, ia ka dërguar videon se si po ia djeg teshat në oborr”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas avokates, çuditërisht, ky detaj dhe videoja nuk ishin evidentuar nga hetuesit, të cilët më pas ia kishin kërkuar Arlindës videon, pasi ajo vetë kishte folur për këtë çështje.
“Kur ka shkuar ta kërkojë fëmijën, të cilin e kishte lënë për dy javë te axha dhe gjyshja e tij, nuk e ka gjetur në Deçan dhe nuk ia kanë dhënë. Ajo ka tentuar të arrijë marrëveshje me burrin e saj, i cili ka qenë në Amerikë, për ta kthyer fëmijën, por nuk ia kanë kthyer. Ka shkuar në polici dhe fëmijën e ka gjetur në Vitomiricë. Procedurat janë zhvilluar në mënyrë të parregullt dhe jo ligjore. Fëmija është marrë në pyetje pa psikolog dhe pa një person të licencuar nga QPS-ja. Prokurores i jam drejtuar menjëherë, sepse fëmija ishte kthyer te axha i vet. Nuk merret mendimi i fëmijës kur merret në pyetje vetëm njëri prind. Të nesërmen i kam shkuar prokurores në zyrë”, deklaroi avokatja.






