Fehim Sali është arrestuar të enjten nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit, pas një operacioni të autoriteteve të Kosovës. Arrestimi është kryer në pikën kufitare në Merdare, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Sipas raportimeve mediale, Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviq.
Sali punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit, ndërsa më herët ka qenë i angazhuar edhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes.
Ai ishte emëruar në këtë këshill në vitin 2022 me mandat dyvjeçar.

Gjatë ditës është publikuar edhe një fotografi ku Sali shihet së bashku me politikanin serb Ivica Daçiq.

Sali kishte qenë në vëmendje edhe në vitin 2021, kur ishte pezulluar nga puna si mësues në shkollën fillore “9 Maji” në Rapçë, pasi kishte garuar në listën e subjektit politik goran “Zajeno”.
Në atë kohë, ai kishte akuzuar Listën Serbe se qëndronte prapa suspendimit të tij dhe kishte deklaruar se kishte marrë telefonata dhe mesazhe kërcënuese me qëllim që të tërhiqej.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet për rastin do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave.






