Hykmete Bajrami godet Abdixhikun: Humbës i zgjedhjeve, i degradimit dhe i përçarjes së partisë

- Advertisement -

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, duke e kritikuar për rezultatet e njëpasnjëshme zgjedhore dhe mënyrën e udhëheqjes së LDK-së.

Bajrami ka thënë se Abdixhiku nuk mund të flasë për parime, shtet dhe ambicie politike, pasi sipas saj, parimet maten me përgjegjësi.

“Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet dhe ambiciet në LDK”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka rikujtuar premtimet e Abdixhikut për dorëheqje në rast të humbjeve zgjedhore, duke thënë se ai duhej të largohej nga udhëheqja e LDK-së pas përsëritjes së rezultateve negative.

“Kur i humbët në zgjedhjet e para, duhej ta mbanit premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar. Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër”, ka deklaruar ajo.

Bajrami ka kritikuar edhe gjendjen politike dhe institucionale në Kosovë, duke përmendur, ndër të tjera, bllokimin e institucioneve, çështjet kushtetuese, funksionimin e ministrive dhe menaxhimin e parasë publike.

Ajo ka ngritur kritika edhe për rezultatet e PISA-s, inflacionin, tenderët njëburimorë, sanksionet e Bashkimit Evropian dhe rrezikun e humbjes së fondeve nga Plani i Rritjes.

“Pajtohem: s’rrotullohet shteti për një ambicie. Pikërisht për këtë arsye, le të flasim për shtetin, por, fillimisht, duhet ta bëjmë dallimin mes shtetit dhe karriges”, ka shkruar Bajrami.

Të ngjashme

Të fundit