Qeveria e Hungarisë do të ndalojë nga dita e premte lëshimin e vizave për punëtorët nga Filipinet, Gjeorgjia dhe Armenia, njoftoi një zëdhënëse e qeverisë, duke e cilësuar këtë si një hap të parë drejt rregullimit të hyrjes së punëtorëve të huaj.
Partia Tisza e kryeministrit Peter Magyar, e cila përfundoi sundimin 16-vjeçar të liderit të djathtë Viktor Orban në zgjedhjet e 12 prillit, kishte paralajmëruar më parë se nga qershori do të ndalonte lëshimin e vizave për punëtorët nga jashtë Bashkimit Evropian.
Zëdhënësja Vanda Szondi tha në një konferencë për media se qeveria synon të kufizojë mundësitë e punësimit për punëtorët e huaj për shkak të shqetësimeve se ata po ulën pagat lokale, shkruan Reuters.
Sipas statistikave zyrtare, punëtorët e huaj përbëjnë vetëm 2% të fuqisë punëtore në Hungari, por disa sektorë, si shërbimet dhe prodhimi, varen shumë nga puna e tyre.
Qeveria do të ndryshojë një vendim që lejon kompanitë e punësimit të importojnë punëtorë me procedurë të thjeshtuar nga Filipinet, Gjeorgjia dhe Armenia duke filluar nga dita e premte. Punonjësit që tashmë ndodhen në Hungari mund të aplikojnë për zgjatje të vizave, ndërsa kërkesat e paraqitura tashmë do të shqyrtohen.
Qeveria e quan këtë një hap të parë drejt një zgjidhjeje të planifikuar afatgjatë. Megjithatë, disa nga investitorët më të mëdhenj të huaj në Hungari kanë paralajmëruar se ndalimi i plotë i hyrjes së punëtorëve të huaj mund të ndikojë negativisht në kompanitë dhe ekonominë në përgjithësi.






