Fjala “Human” (Njeri) është shpallur fjala e vitit 2026 nga Fjalori i Kembrixhit, në një kohë kur zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale po e zbeh gjithnjë e më shumë kufirin mes njerëzve dhe makinave.
Sipas raportimit të gazetës britanike “The Guardian”, zgjedhja e kësaj fjale pasqyron debatet e shumta rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh njeri në epokën e inteligjencës artificiale.
Fjalori i Kembrixhit e përkufizon fjalën “Human” si të pasurit e cilësive, të metave dhe ndjenjave që karakterizojnë njerëzit, në dallim nga zotat, kafshët apo makinat.
Zhvillimet në inteligjencën artificiale, veçanërisht pas lansimit të ChatGPT-së tre vjet më parë, kanë nxitur diskutime rreth mundësisë që kompjuterët të arrijnë vetëdijen dhe të shfaqin karakteristika të ngjashme me ato njerëzore.
Colin McIntosh, redaktor i Fjalorit të Kembrixhit, ka thënë se inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si njerëzit flasin për qenien njerëzore dhe se përdorimi i kësaj fjale po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për të dalluar krijimtarinë njerëzore nga ajo e sistemeve kompjuterike.
Ndërkaq, profesoresha Rachel Adams, eksperte e qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Kembrixhit, ka theksuar se zhvillimi i AI-së i rikthen njerëzit te pyetjet që janë bërë prej mijëra vjetësh: kush jemi dhe çfarë do të thotë të jesh njeri.
Në mesin e fjalëve të tjera që ishin në garë për këtë titull ishin “agent”, që përshkruan sistemet e inteligjencës artificiale që mund të veprojnë pa kontroll të drejtpërdrejtë njerëzor, “analogue”, që lidhet me aktivitetet jo-digjitale, si dhe “wholesome”, që përshkruan diçka që ndikon pozitivisht në jetën e njeriut.
Ndërkohë, në fillim të nëntorit, Fjalori Collins shpalli fjalën “mogging” si fjalën e vitit 2026. Ajo nënkupton tejkalimin apo shkëlqimin ndaj dikujt tjetër në pamje, vetëbesim apo status.
Fjalori i Kembrixhit ka përfshirë gjithashtu në fjalorin e tij terma të rinj si “looksmaxxing”, që përshkruan përpjekjet për të arritur pamjen sa më tërheqëse fizike, dhe “aura farming”, që lidhet me krijimin e një imazhi personal që të tjerët e admirojnë, veçanërisht në rrjetet sociale.






