Hoxhaj: Vjosa Osmani për 5 vjet i ka shërbyer Kurtit për ta “grryer” rendin kushtetues

- Advertisement -

Ish-kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj ka hedhur kritika të forta ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, duke i akuzuar për, siç tha ai, mungesë reagimi ndaj çështjeve kushtetuese.

Në një deklaratë publike, Hoxhaj tha se Osmani gjatë mandatit të saj nuk ka reaguar ndaj veprimeve të Qeverisë.

“Vjosa Osmani ka qenë presidente për 5 vjet, i ka shërbyer Kurtit për ta gërryer dhe për ta rrënuar rendin kushtetues. Osmani s’e ka hapur gojën asnjëherë karshi shkeljeve kushtetuese të Kurtit”, u shpreh Hoxhaj.

Enver Hoxhaj tha se kishte kërkuar debat publik me Kurtin që në vitin 2021.

“Unë në 2021 i kam kërkuar Kurtit debat. Nuk kam problem me faktin që i ka fituar zgjedhjet, por kam problem me konceptin politik të tij”, deklaroi ai.

Hoxhaj shtoi se ka shqetësime për pasojat politike nëse mbështetja për Kurtin përsëritet edhe më 7 qershor, duke paralajmëruar për rreziqe të mundshme për vendin.

Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj tha se partitë e tjera opozitare, me përjashtim të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë bashkëpunuar me Kurtin dhe nuk dallohen më nga pushteti aktual.

“PDK është partia e vetme opozitare. Këta të tjerët nëpër partitë politike janë vetëm staf i Kurtit, pasi kanë bashkëpunuar me të. Përveç AAK-së, nuk po dallohen më se me kë kanë qenë”, deklaroi Hoxhaj.

Ai shtoi se PDK-ja synon të paraqitet para qytetarëve si alternativa kryesore për ndryshim politik dhe për rikthimin e stabilitetit institucional në vend.

Enver Hoxhaj ka deklaruar se qëllimi kryesor i Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit është largimi i kryeministrit Albin Kurti nga pushteti.

Hoxhaj tha se PDK-ja e sheh veten si forcë shtetformuese dhe pjesë të themeleve të shtetit të Kosovës.

“Ne shkojmë në zgjedhje për ta larguar Albin Kurtin. PDK qëndron në themelet e këtij vendi”, deklaroi Hoxhaj, në RTV21.

Ai theksoi se partia e tij synon të rikthejë stabilitetin politik dhe fokusin tek zhvillimi ekonomik, duke kritikuar qasjen aktuale të qeverisë ndaj proceseve politike në vend.

Të ngjashme

Të fundit