Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se e ka prekur “kujtesën historike, identitetin dhe frymën” e Marrëveshjes së Ohrit vendimi për t’ia vënë sheshit në Tetovë emrin e Josip Broz Titon.
“Vendimet për të rikthyer emërtimet e periudhës jugosllave në Tetovë prekin kujtesën historike, identitetin dhe frymën mbi të cilën u ndërtua bashkëjetesa pas Marrëveshjes së Ohrit”, shkroi Hoxhaj në një postim në Facebppl/
“Rikthimi i emërtimeve që lidhen me Josip Broz Titon përfaqëson rikthimin e një simbolike të regjimit që shtypi shqiptarët për dekada. Po ashtu, ai rikthen në kujtesë edhe trashëgiminë e Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), e cila kreu krime të rënda dhe mori pjesë në fushata gjenocidale kundër shqiptarëve në Kosovë, si edhe kundër boshnjakëve dhe kroatëve gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë”, shtoi ai.
Hoxhaj tha se “të drejtat e fituara të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të vihen në pikëpyetje përmes vendimeve që krijojnë pasiguri dhe nxisin ndarje”.
“Ruajtja e barazisë, respektimi i gjuhës shqipe dhe i karakterit shumetnik të shtetit janë themeli i stabilitetit dhe i orientimit euroatlantik të vendit”.
“Çdo hap që dobëson frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit nuk i shërben as demokracisë, as paqes, e as perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët meritojnë siguri juridike, barazi të plotë dhe respekt për të drejtat e fituara, jo kthim prapa”, shkroi ai.






