Enver Hoxhaj nga PDK ka folur për zhvillimet politike në vend dhe për dështimin e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit, në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1.
Ai ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se takimet me PDK-në kanë qenë të pakta dhe pa vullnet real politik për marrëveshje.
Sipas Hoxhajt, mënyra se si Kurti e ka trajtuar PDK-në gjatë procesit ka qenë nënçmuese dhe pa respekt institucional.
“Është e matshme kjo punë, pasi fakti që z. Kurti në fund tha PDK-së ‘ia jap kryetarin e Kuvendit’, në fakt e shpërfaqi thelbin e asaj se janari, shkurti, marsi dhe prilli kanë qenë teatër. Ai nuk ka pritur emra nga PDK-ja, as nuk ka dashur marrëveshje për presidentin, as figurë konsensuale. Në mënyrën se si e ka trajtuar PDK-në me dy takime, ishte poshtëruese. Kur dikush thotë po ulemi për presidentin dhe në fund të thotë mund të jetë vetëm pozita e kryetarit të Kuvendit, ai PDK-në e trajtonte sikur të ishte Lista Serbe. Ky ishte mesazhi dhe nuk kishte përpjekje serioze nga fillimi deri në fund,” ka deklaruar Hoxhaj.
Ai shtoi se sipas tij, Albin Kurti ka tentuar të krijojë vetëm përshtypje për angazhim në proces, pa vullnet real për marrëveshje.
Hoxhaj theksoi se ajo që i nevojitet PDK-së nuk janë pozitat institucionale, por një qeveri stabile.
“Ajo që i vyn PDK-së nuk është as presidenti, as kryetari i Kuvendit. Ajo që i vyn PDK-së është një qeveri që e kthen vendin në binarë dhe e ruan kulturën demokratike,” ka përfunduar ai.






