Avokati Valdet Hoxha, ka komentuar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të mos i kthyer në detyrë prokurorët dhe stafin mbështetës nga komuniteti serb në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.
Sipas Hoxhës, kjo çështje ka marrë dimension politik që nga fillimi, ndonëse sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur.
“Kjo çështje që nga fillimi ka qenë e politizuar. Pavarësisht se Këshilli Prokurorial dhe sistemi i drejtësisë janë shtyllë e veçantë dhe të pavarur nga qeveria e politika, që nga fillimi, përmes këtyre dorëheqjeve u tentua të krijohej një narrativë se kinse po diskriminohej komuniteti serb në institucionet e Kosovës. Për këtë arsye, kjo mori trajtim politik”, ka deklaruar Hoxha në Tëvë1.
Ai tha se dorëheqjet nuk janë miratuar për një periudhë të gjatë, duke argumentuar se ato janë trajtuar si veprim politik dhe se institucioneve u është dhënë mundësia që këta zyrtarë të rikthehen në detyrë.
“As Këshilli Prokurorial e as ai Gjyqësor nuk i kanë miratuar deri më tani ato dorëheqje. Janë konsideruar si veprim politik dhe u është dhënë mundësia që të rikthehen. Vendimi i KPK-së për të mos pranuar kthimin e pesë prokurorëve dhe stafit tjetër mbështetës është interesant, sidomos duke pasur parasysh se ishte një vendim i ndarë”, është shprehur ai.
Hoxha vlerësoi se, nga aspekti juridik, vendimi i KPK-së është i bazuar, por nuk përjashtoi mundësinë e zhvillimeve të mëtejshme.
“Ligjërisht ky vendim është në rregull. Nuk do të befasohesha nëse do të ketë reagime nga partnerët ndërkombëtarë. Po ashtu, nuk do të befasohesha nëse presidentja nuk i liron nga detyra dhe nëse do të ketë rishikim të vendimit, pasi bëhet fjalë për një problematikë shumëvjeçare që nuk është trajtuar”, ka thënë Hoxha.






