Avokati, Valdet Hoxha ka deklaruar se kompetencat e presidentit apo presidentes së vendit janë të qarta dhe të përcaktuara në Kushtetutë, duke përfshirë edhe nxjerrjen e dekreteve për proceset zgjedhore.
Sipas tij, norma kushtetuese është e qartë edhe sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri, e cila duhet të bëhet 30 ditë para përfundimit të mandatit.
Hoxha shtoi se pret që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të përgjigjet shpejt ndaj ankesës së LVV-së për dekretin e Osmanit për shpërbërjen e Kuvendit, duke theksuar se së fundmi Lëvizja Vetëvendosje po i drejtohet gjithnjë e më shumë kësaj gjykate për vlerësime dhe interpretime kushtetuese.
Ai theksoi se nuk ka shumë rëndësi nëse procesi zhvillohet brenda 45 apo 60 ditëve, por sipas tij zgjedhjet duhet të mbahen patjetër në muajin prill.
“Janë të qarta të gjitha kompetencat e presidentes apo presidentit të vendit janë të qarta dhe të kristalizume dhe një ndër to është edhe nxjerrja e dekreteve dhe po ashtu është shumë e qartë norma kushtetuese e cila thotë se presidenti apo presidentja duhet të zgjidhet 30 ditë para skadimit të mandatit, pra gjithçka mendoj që është kushtetuese dhe madje mosveprimi i presidentes do të ishte shkelje kushtetuese. Gjykata Kushtetuese do të veprojë më shpejtë, LVV ka filluar me i besua Gjykatës Kushtetuese dhe po i drejtohet për dhënien e vlerësimeve dhe opinioneve këtyre, nuk ka shumë rëndësi nëse brenda 45 ditëve apo 60 ditëve të shkojmë. Detyrimisht duhet të ketë zgjedhje me 5, 12 ose 19 prill në Republikën e Kosovës. 19 është data më e largët”, ka deklaruar Hoxha në emisionin “Ditari” në Tëvë1.






