Juristi Valdet Hoxha ka deklaruar se moskonstituimi i Kuvendit është pasojë e një bllokade nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në “Ditari” të Tëvë1, Hoxha ka shtuar se refuzimi i kandidaturave të opozitës për nënkryetarë do ta thellojë edhe më tej krizën politike në vend.
Ai e ka cilësuar këtë qasje si “politikë të mbrapshtë dhe inatqore”, që sipas tij po dëmton institucionet dhe kredibilitetin e Kosovës.
“Problemi është tek e para, pra tek Lëvizja Vetëvendosje. U pa se deklarimi i tyre i vazhdueshëm se opozita po e bllokon konstituimin e Kuvendit dhe institucioneve të vendit ka qenë vetëm një pretekst për ta fajësuar opozitën. Në momentin kur Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit, ata nuk i votuan kandidatët e opozitës për nënkryetarë, në mënyrë që Kuvendi të konsiderohej i konstituuar.
Kjo është bllokadë kryekëput e Lëvizjes Vetëvendosje, një politikë e mbrapshtë dhe në dëm të interesave të shtetit, një politikë inatqore që po dëmton institucionet dhe kredibilitetin e vendit brenda dhe jashtë. Kjo po e çon vendin në theqafje, sepse tashmë mospranimi i kandidaturave të opozitës për nënkryetarë të Kuvendit do ta thellojë edhe më tej krizën politike”, ka thënë ai.
Ndryshe, procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ngeci sërish, më 9 shtator, pasi deputetët nuk u dakorduan për mënyrën e votimit të pesë nënkryetarëve.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës akuzuan partinë fituese të zgjedhjeve për bllokadë, teksa Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk mund të votojë nënkryetarë që kundërshtojnë kandidatin për president të shtetit.
Seanca u shty për të premten e 11 shtatorit./






