Hoxha: Koha për kontribut për Ligjin për Dhomat e Specializuara është tani

- Advertisement -

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sejdi Hoxha, ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët të institucioneve, profesionistëve dhe shoqërisë civile lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara, i cili është kthyer nga presidentja në Kuvend.

Hoxha ka vlerësuar se kontributi i ekspertëve juridikë, avokatëve, analistëve, mediave dhe profesionistëve të tjerë duhet të jepet tani, para se ligji të miratohet, në mënyrë që të shmanget krijimi i paqartësive për një çështje kaq të ndjeshme.

“Idetë duhet të paraqiten tani, jo pasi të miratohet ligji. Të mos krijojmë huti për një temë kaq të ndjeshme”, ka shkruar Hoxha.

Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të konsultohet për këtë çështje, por ka shtuar se konsultimi nuk duhet ta zëvendësojë përgjegjësinë e institucioneve dhe të akterëve vendorë për të vepruar.

“Përgjegjësia nuk është individuale; ajo u takon institucioneve, partive politike, deputetëve, profesionistëve, shoqërisë civile, mediave dhe çdo qytetari që mund të kontribuojë”, ka deklaruar ish-deputeti i PDK-së.

Hoxha ka theksuar se synimi duhet të jetë garantimi i një gjykimi të drejtë për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur në fakte dhe prova të besueshme.

“Duhet të bëjmë gjithçka që çlirimtarët të kenë një gjykim të drejtë, të mbështetur në fakte dhe prova të besueshme, e jo në pretendime të orkestruara nga strukturat e UDB-së”, thuhet në postimin e tij.

Në fund, Hoxha ka ritheksuar nevojën për angazhim konkret dhe kontribut profesional në këtë proces, duke theksuar se koha për të vepruar është tani.

“Drejtësia për çlirimtarët mbrohet me dije, guxim dhe veprime konkrete”, ka përfunduar Hoxha.

Të ngjashme

Të fundit