7.3 C
New York
Thursday, November 14, 2024

Buy now

Hovenier te shtatorja e Clinton: Ai u përkushtua personalisht për Kosovën, mund të thoni ‘është presidenti ynë’, s’mund t’ju kundërshtoj

- Advertisement -

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka kujtuar ish-Presidentin amerikan, Bill Clinton në shënimin e Ditës së Presidentit Amerikan, në sheshin “Bill Clinton” në Prishtinë.

Pranë shtatores së Clintonit, Hovenier foli për “lidhjen e fortë të SHBA-së me popullin e Kosovës”, që siç tha ambasadori, “mishërohet kaq qartë nga shtatorja e Presidentit Clinton”.

“Unë jam vërtet i nderuar dhe në emër të Shteteve të Bashkuara mund të them se jemi të gjithë kolektivisht, vërtetë të nderuar që Presidentja Osmani dhe ekipi i saj kanë udhëhequr përpjekjet për të siguruar që sot, në këtë ditë, në ditën e Presidentit, t’i bëjmë homazhe të gjithë presidentëve amerikanë dhe ne i kushtojmë një nderim të veçantë Presidentit Clinton. Faleminderit Presidente Osmani që në këtë mënyrë e nderoni festën tonë. Ne e vlerësojmë”, tha fillimisht Hovenier, dhe fjalët e tij u pasuan nga një duartrokitje.

Hovenier tha se Clinton kishte përkushtim personal ndaj Kosovës dhe popullit të saj, ndërsa citoi disa fjalë të tij.

“Tani, besoj se kjo iniciativë, edhe pse është një fenomen global, është e veçantë këtu në Kosovë. Vitin e kaluar citova Presidentin Clinton dhe shpresoj se do të më falni nëse e bëj përsëri sepse mendoj se fjalët e tij janë kaq të rëndësishme për të nënvizuar përkushtimin e tij personal ndaj këtij vendi dhe popullit të Kosovës. Në vitin 2019, kur Presidenti Clinton vizitoi Kosovën, ai tha, citoj: Unë gjithmonë do të jem krenar për faktin se u ndodha president i Shteteve të Bashkuara kur ju duhej dikush që të ngrihej dhe të thoshte jo më spastrim etnik, jo më njerëz duke ikur nga shtëpitë e tyre, jo më vrasje të civilëve të pafajshëm. Duhet të ketë një mënyrë tjetër”.

Hovenier kujtoi gjithashtu se Clinton kishte qenë në Prishtinë për përurimin e shtatores së tij në sheshin që gjithashtu mban emrin e tij.

“Siç e dini shumë prej jush, në 2009, presidenti Klinton ishte këtu, ndoshta pikërisht këtu ku po qëndroj, për inagurimin e kësaj shtatoreje. Dhe në atë pikë, tha ai, citoj: Jam thellësisht mirënjohës që pata mundësinë të jem pjesë e përfundimit të gjërave të tmerrshme që po ju ndodhnin 10 vjet më parë dhe t’ju jepja një shans për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten tuaj’”.

Ambasadori amerikan theksoi se “përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës i paraprin Presidentit Clinton” dhe se ka vazhduar edhe pas tij. “Dhe unë mund t’ju tregoj vetë për gjërat që kam parë me Presidentin Bush dhe Presidentin Obama dhe Presidentin Biden… dhe Presidentin Trump”.

Por Clintonin e veçoi, duke thënë se “ai tregoi lidership dhe guxim të jashtëzakonshëm” në mbështetjen që populli i Kosovës ta ketë fatin e vet në dorë, “në vend që të kenë zgjedhje të imponuara nga të tjerët”.

“Faleminderit të gjithëve që u bashkuat me ne sot. Faleminderit që na lejuat ta ndajmë Presidentin tonë me ju. Sepse mendoj se shumë prej jush thoni ‘ai është presidenti ynë’. Nuk mund të thosha ndryshe. Dhe faleminderit në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha në fund Hovenier.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit