Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se lidhjet e forta dhe përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj popullit të Kosovës, është që nga presidenti Clinton, Bush, Obama, Biden dhe presidentin Trump.
Hovenier i bërë këto komente në ceremoninë e organizuar pranë shtatores së presidentit Clinton, në Prishtinë, ku edhe u shënua Dita e Presidentit Amerikan.
Ambasadori Hovenier derisa tregoi se si u krijua kjo festë, tha se ambasadat dhe konsullatat e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën, festojnë praninë amerikane dhe lidhjen e tyre me botën jashtë Shteteve të Bashkuara.
“Jam krenar që bashkohem me homologët e mi anembanë botës dhe i bëj homazhe detyrës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të njoh lidhjen e fortë të SHBA-së me popullin e Kosovës siç mishërohet kaq qartë nga kjo statujë e Presidentit Clinton. Unë jam vërtet i nderuar, dhe në emër të Shteteve të Bashkuara, mund të them se jemi të gjithë kolektivisht të nderuar që Presidentja Osmani dhe ekipi i saj kanë udhëhequr përpjekjet për të siguruar që sot, në Ditën e Presidentit, ne i bëjmë homazhe të gjithë presidentëve të SHBA-së dhe i kushtojmë një nderim të veçantë Presidentit Clinton. Faleminderit Presidentja Osmani që në këtë mënyrë e nderoni festën tonë, e vlerësojmë këtë. Tani, besoj se kjo nismë, edhe pse është një fenomen global, është veçanërisht relevante dhe e veçantë këtu në Kosovë…. Siç theksoi me të drejtë presidenti Osmani, përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës i paraprin Presidentit Clinton dhe vazhdon pas Presidentit Klinton, dhe unë vetë mund t’iu tregoj për gjërat që unë kam parë Presidentin Bush, Presidentin Obama, Presidentin Biden dhe Presidentin Trump, të bëjnë për Kosovën”, tha ai.
Kurse, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se shënimi i Ditës së Presidentit Amerikan në Prishtinë, shënon edhe frymën e demokracisë që ata përfaqësojnë dhe bujarisht e kanë ndarë me botën, e që ka pasur një ndikim të thellë në rrugëtimin tonë si vend.
Sipas saj, liderët nga nga Xhorxh Uashingtoni te Abraham Lincoln, nga Franklin Roosevelt deri te Bill Clinton, e deri në ditët e sotme, jo vetëm që kanë formësuar fatin e vendit të tyre, por kanë lënë gjithashtu një fener shprese për aspiratat demokratike në mbarë globin.
“Shumë presidentë amerikanë kanë luajtur një rol kyç në këtë rrugëtim, duke kuptuar se kërkimi për liri dhe demokraci i kapërcen kufijtë gjeografikë. Vitin e kaluar fola për presidentin Klinton dhe përkushtimin e tij ndaj popullit të Kosovës, duke refuzuar të rri duarkryq dhe të shikojë njerëzit e pafajshëm që vuajnë. Ai u bë zëri ynë kur dekada të tëra shtypjeje dhe diskriminimi kulmuan në një luftë gjenocidale kundër nesh. Sot ktheva faqen në një kapitull tjetër, një kapitull për Presidentin Biden, presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara, një njeri udhëtimi i të cilit nga sallat e Senatit në korridoret e Zëvendës Presidentit, dhe tani deri në kulmin e lidershipit si President i SHBA-së është shënuar nga një miqësi e fortë me vendin tonë dhe popullin tonë, veçanërisht gjatë momenteve kryesore që kanë formësuar trajektoren tonë. Mbështetja e Presidentit Biden është një dëshmi e vërtetë e lidhjeve të thella të miqësisë që kanë përcaktuar prej kohësh partneritetin tonë. Ai jo vetëm që i kupton aspiratat tona për liri dhe demokraci, ai qëndron krah për krah me ne në përpjekjen tonë të vazhdueshme për të forcuar këto ideale”, tha ajo.
Sipas saj, që nga lufta jonë për liri dhe pavarësi e deri te ndërtimi i institucioneve tona të forta, të qëndrueshme dhe demokratike, Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar pranë nesh, duke ofruar mbështetje, udhëzime dhe miqësi.
“Le të kujtojmë të gjithë kontributin e të gjithë këtyre presidentëve, duke treguar edhe një herë se mbështetja ndaj Kosovës ka qenë gjithmonë dypartiake, dhe le të kujtojmë gjithashtu se demokracia kërkon vigjilencë, përkushtim dhe vullnet të vazhdueshëm për të vepruar në shërbim të së mirës së përbashkët. Së bashku, të frymëzuar nga trashëgimia e kaq shumë presidentëve të SHBA-së dhe të mbështetur nga lidhjet e miqësisë mes popujve tanë, ne do të vazhdojmë të përpiqemi për një të ardhme të shënuar me paqe, prosperitet dhe barazi për të gjithë. Sot dhe çdo ditë tjetër, ne jemi përjetësisht mirënjohës për sakrificat e bëra nga ushtarët amerikanë në tokën tonë për përpjekjet diplomatike që kanë ndihmuar në formimin e shtetësisë sonë, përmes kaq shumë ambasadorëve të shquar dhe veçanërisht atij aktual, dhe për investimet e vazhdueshme në shoqërinë dhe ekonominë tonë nga çdo secili institucion amerikan. Kjo mirënjohje është ngulitur thellë në zemrat e çdo anëtari të shoqërisë sonë. Në zemrat e çdo kosovari. .. marrëdhënia mes dy vendeve tona dhe miqësia mes popujve tanë të vazhdojnë të lulëzojnë”, tha ajo.
Osmani shtoi se pikërisht dje kanë përkujtuar një ditë tjetër të veçantë, ditën e njohjes së pavarësisë nga Shtetet e Bashkuara ndaj Republikës së Kosovës, përmes një mesazhi jashtëzakonisht të fortë dhe mbështetës të Presidentit Bush, i cili ishte presidenti i parë që priti një delegacion nga Republika e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.
Përndryshe, kjo festë u krijua fillimisht në vitin 1885, dhe filloi si një festë e njohjes së vetëm një presidenti, Presidentit të 1-rë të Shteteve të Bashkuara, George Washington, dhe më vonë festohet në të gjitha vendet ku SHBA ka ambasadat e tyre