Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të bëjë kompromis për formimin e institucioneve sepse votat e qytetarëve e kanë përcaktuar vullnetin e tyre politik.
“Së pari kompromisi dhe marrëveshja mendoj që nuk janë e njëjta gjë. Nuk njihet Lëvizja Vetëvendosje apo kryeministri për kompromise. Në veçanti kur ti e ke 51% në atë kohë, tash është 47% të votës së qytetarëve të Kosovës, ti edhe nëse do me bë kompromis apo një marrëveshje të tillë nuk ta lejonë qytetarët, sepse qytetarët ty të kanë thënë: ‘Të lutem qeverise vetë, udhëhiqe vetë’. Unë jam i bindur që këtë kanë me gjetur një mirëkuptimnë raport me presidentin sepse zgjedhjet kemi me i fitu, janë mbajtur me 14 shkurt dhe dihen rezultatet e saj. Kryeministri Kurti i ka ftuar edhe Partinë Demokratike të Kosovës, edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe vazhdon me i ftuar, vazhdon me i thirrur takimin e radhës së tyre”, ka thënë Hoti në RTK.
“Kompromisi në të kaluarën edhe nëse ka ndodhur, ka mund me ndodhë për shkak se partitë politike i kanë pasur prapë se prapë të njëjtat vota, për shembull 20-22-23%. Tash edhe po të duam të bëjmë kompromis…51%-shi i asaj kohe nuk të ka lejuar ty me bë një marrëveshje. Sepse vetë qytetari nuk t’i ka dhënë as 40 apo 45%, t’i ka dhënë 51, pra mbi 50, për me qeverisur vetë vendin”, tha ai.
Ai ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës për deklarimin e tyre se ata kanë vendosur të qëndrojnë në opozitë, duke thënë se kanë përgjegjësi para qytetarëve.
“Ka përgjegjësi politike, morale ndaj qytetarëve, po edhe kushtetuese me i formuar institucionet. Kushtetuta e thotë shumë qartë që ne duhet t’i kemi 80 deputetë për me formuar presidentin dhe nuk mundesh ti thjesht me dalë me thënë ‘unë rri në opozitë e unë s’kam asnjë lloj përgjegjësie”, ka thënë Hoti.






