Hoti: Qeveria po e rrit barrën e kostos së jetesës, në vend që ta lehtësojë

- Advertisement -

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si, sipas tij, po e trajton rritjen e kostos së jetesës, duke thënë se në vend të lehtësimit të barrës për qytetarët, po e rëndon atë edhe më shumë.

Sipas Hotit, një nga vendimet e para të Kryeministrit të ri të Mbretërisë së Bashkuar ishte ulja e ngarkesave tatimore në faturat e energjisë elektrike, si masë për të ulur koston e jetesës për familjet. Ai theksoi se masa të ngjashme janë ndërmarrë më herët edhe nga disa qeveri të Bashkimit Evropian.

Në Kosovë, sipas tij, ka ndodhur e kundërta.

“Jo që nuk janë ulur ngarkesat tatimore në faturat e energjisë, por energjia është shtrenjtuar disa herë,” ka deklaruar Hoti.

Ai ka shtuar se edhe në rastin e naftës, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është bartur drejtpërdrejt te konsumatori, ndërsa meqenëse TVSH-ja llogaritet mbi çmimin e produktit, qytetarët paguajnë më shumë tatim sa herë që rritet çmimi i karburanteve.

Sipas tij, vendosja e çmimit maksimal ditor për naftën ka bërë që Qeveria ta transferojë zyrtarisht te konsumatori përfundimtar koston e rritjes së çmimit të furnizimit.

Hoti ka paralajmëruar se mosveprimi i Qeverisë do të ketë pasoja afatgjata në zhvillimin e vendit. Ai vlerëson se kur çmimet e produkteve bazë, si energjia, rriten përtej trendit normal, familjet detyrohen të reduktojnë shpenzimet për arsim, shëndetësi, cilësinë e ushqimit, kulturë dhe rekreacion.

“Kjo mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata, sidomos për fëmijët dhe familjet me të ardhura të ulëta,” ka theksuar ai.

Sipas Hotit, në situata të tilla është thelbësore që shteti të ndërhyjë për të parandaluar uljen e konsumit të familjeve për nevojat elementare, duke marrë përsipër një pjesë të rritjes së kostos së jetesës përmes uljes së ngarkesave tatimore.

Ai ka përfunduar se ulja e barrës tatimore sot është më pak e kushtueshme për shtetin sesa pasojat që, sipas tij, do të shkaktohen në të ardhmen nga familjet që detyrohen të heqin dorë nga nevojat bazike.

“Nuk mjafton të maten vetëm të hyrat që mbledh shteti. Qeverisja e mirë matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve”, ka përfunduar Hoti.

Të ngjashme

Të fundit