Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka reaguar pas raportimeve se Qeveria e Kosovës ua ka hequr statusin e dëshmorit disa personaliteteve, përfshirë Ahmet Krasniqin, Fehmi Aganin, Enver Malokun dhe Bajram Kelmendin.
Përmes një reagimi në facebook, ministri Andin Hoti i ka cilësuar këto raportime si të pavërteta dhe manipuluese, duke theksuar se as Ministria dhe as Qeveria nuk kanë marrë ndonjë vendim për heqjen e këtij statusi.
Sipas Hotit, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit e ka përfunduar punën para shumë vitesh dhe tashmë nuk funksionon si mekanizëm.
Ai ka bërë të ditur se të gjithë personat e përmendur vazhdojnë ta kenë statusin e dëshmorit dhe të gëzojnë të drejtat pensionale në bazë të legjislacionit në fuqi.
“Të gjithë personat e përmendur vazhdojnë ta kenë statusin e dëshmorit dhe gëzojnë të drejtat pensionale sipas legjislacionit në fuqi. Asnjërit prej tyre nuk i është hequr statusi apo e drejta në pension!
Skandaloze është përpjekja që, përmes ‘titujve bombastikë’ dhe teksteve tendencioze, të krijohet bindja se institucionet kanë marrë vendime që nuk ekzistojnë.
Ky nuk është gazetari, as raportim dhe as informim. Ky është dezinformim dhe manipulim i rëndë i opinionit publik!
Po aq e papranueshme është që mediat që kanë publikuar dhe shpërndarë këto pretendime nuk e kanë marrë as mundin më të vogël që, para publikimit, të kërkojnë një sqarim nga Ministria. Verifikimi i informacionit dhe marrja e qëndrimit të palës përkatëse janë përgjegjësi themelore të gazetarisë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje kaq të ndjeshme për familjet e dëshmorëve dhe opinionin publik”, ka shkruar Hoti.






