Kandidati për deputet, njëherazi ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me projektin e gazit amerikan, duke thënë se ai tashmë është përqafuar nga të gjitha subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore, ndonëse sipas tij, vite më parë ishte kundërshtuar ashpër nga një pjesë e skenës politike.
Hoti thotë se marrëveshja e Uashingtonit, nga e cila sipas tij buron projekti i gazit amerikan, ishte cilësuar nga kundërshtarët si “tradhti kombëtare”, ndërsa kishte pasur edhe zëra që aleancën e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin konsideruar vetëm si një aleancë interesi.
Sipas tij, janë dashur gjashtë vjet që të kuptohet rëndësia e këtij projekti strategjik, periudhë gjatë së cilës qytetarët kanë paguar fatura më të larta të energjisë elektrike dhe Kosova ka importuar energji në vlerë prej afro një miliard eurosh.
“Unë jam i bindur se qysh në fillim ka qenë e ditur për të gjithë rëndësia e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe e këtij projekti strategjik. Ata që e kanë kundërshtuar e kanë bërë këtë për interesa të ngushta politike dhe duket qartë për shkak të orientimeve jo-perëndimore të tyre” tha Hoti.
Ky është postimi i plotë i tij:
Gazi amerikan – ky projekt që më në fund u përqafua nga të gjithë gjatë kësaj fushate zgjedhore.
Para gjashtë vitesh, Marrëveshjen e Uashingtonit, nga e cila buron ky projekt, disa e quajtën tradhti kombëtare. Disa të tjerë, gjithë aleancën e Kosovës me SHBA-në e kualifikuan si aleancë të interesave, aleancë të frikës nga braktisja.
U desh të kalojnë gjashtë vjet, të paguajmë shumë më shtrenjtë faturat e energjisë dhe të importojmë afër 1 miliard euro energji elektrike në mënyrë që këta persona të ndryshojnë mendim.
Unë jam i bindur se qysh në fillim ka qenë e ditur për të gjithë rëndësia e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe e këtij projekti strategjik. Ata që e kanë kundërshtuar e kanë bërë këtë për interesa të ngushta politike dhe duket qartë për shkak të orientimeve jo-perëndimore të tyre.
Nesër, më 7 qershor, të gjithë ata që e kundërshtuan Marrëveshjen dhe këtë projekt duhet të paguajnë faturën politike.






