Hoti: Anulimi i termocentralit Kosova e Re dhe Centralit të Gazit janë veprimet “më anti-shtetërore dhe anti-amerikane të Kurtit”

- Advertisement -

Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka akuzuar partinë Vetëvendosje dhe qeverisjen e saj për “veprimet më anti-shtetërore dhe anti-amerikane” me kundërshtimin dhe ndalimin të ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” dhe “Centralit të Gazit.”

Këto projekte të mbështetura dhe shtyrë para nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avdullah Hoti, tha se janë urgjente për një qeveri në ardhje.

“Kosova mund t’i lejojë vetes të ketë varësi energjetike vetëm nga SHBA përmes projektit të gazit amerikan,” shkroi Hoti.

Postimi i plotë:

Dy projektet madhore energjetike, “Kosova e Re” dhe “Centrali i gazit”, mbesin padyshim projektet më strategjike të Kosovës sot dhe për dekadat në vijim, me rëndësi ekonomike dhe politike për Republikën e Kosovës.

Të dy projektet kanë qenë të mbështetura nga aleati strategjik i Kosovës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të parin, u nënshkrua kontrata me një firmë amerikane në prezencë të Ambasadorit Amerikan në Prishtinë. Projekti i dytë ishte pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prani të Presidentit Trump.

Çfarë duhej tjetër për të kuptuar rëndësinë e këtyre projekteve për Kosovën dhe për marrëdhëniet e Kosovës me aleatin strategjik SHBA?!

Sot, secili e ka të qartë se anulimi i këtyre projekteve strategjike nga Kurti, mbështetur nga individë të shumtë në politikë dhe në shoqërinë civile, ka qenë veprim anti-shtetëror dhe anti-amerikan.

Fushata mashtruese për gjoja ndotje të ambientit, ndërkohë që dëshmohej përdorimi i teknologjisë së avancuar dhe të pastër nga prodhues të njohur perëndimor, ka qenë maskim i Kurtit dhe i mbështetësve të tij për mashtrimin e publikut. Kjo lloj fushate duket qartë se u ka shërbyer atyre që, për qëllimet e tyre ekonomike e politike, e duan Kosovën të varur nga importi i energjisë.

Ka nga ta që edhe sot veprojnë njëjtë sikurse zotëruesi i tyre politik. Ka të tjerë që heshtin. Për ata që pa vetëdije kanë rënë në grackën e këtij mashtruesi, besoj se kërkim falja dhe distancimi nga kjo politikë anti-shtetërore dhe anti-amerikane është veprimi i parë i duhur dhe përbën gjest fisnik.

Çfarë duhet tjetër për të kuptuar politikën anti-shtetërore të Kurtit dhe të atyre që i shkojnë pas?!

Qeveria e ardhshme duhet urgjentisht tu kthehet zbatimit të këtyre projekteve. Kosova mund dhe do të bëhet neto eksportues i energjisë.

Kosova mund t’i lejojë vetes të ketë varësi energjetike vetëm nga SHBA përmes projektit të gazit amerikan.

Të ngjashme

Të fundit