Hiqet tabela në gjuhën serbe nga objekti hekurudhor në Zveçan, vendoset flamuri i Kosovës

- Advertisement -

Aty është vendosur edhe flamuri i Kosovës dhe tabela në gjuhën shqipe.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha tha se stacionet hekurudhore në veri, tash e tutje do të operohen nga Ndërmarrja Hekurudhore Infrakos.

“Jemi këtu, sepse siç e dini këtu kanë vazhduar të operojnë strukturat paralele të Serbisë dhe ne tani kemi vendosur institucionet tona. Është Infrakos-i që tani do ta marrë stacionin hekurudhor këtu në Zveçan dhe gjithashtu tri stacione të tjera [në veri, v.j]”, tha ai.

Edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaroi se Infrakosi është një nga ndërmarrjet që merr nën kontroll asete në veri.

“Ndërmarrjet tona publike, gjithnjë e më shumë po shtrijnë shërbimet e tyre dhe po marrin përsipër asetet e tyre në të gjitha komunat e vendit. Infrakos-i sot i shtohet kësaj listeje, duke marrë nën kontroll stacionet hekurudhore”, tha ajo.

Siç shkruan portali nga veriu, Kossev, në vendngjarje ndodhej një punëtor, i cili, pasi mbërritën autoritetet e Kosovës, mori sendet e tij dhe u largua nga ambientet e stacionit

Të ngjashme

Të fundit