Haziri: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente, askush mbi Republikën

- Advertisement -

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas debatit publik lidhur me qëndrimet e partisë për proceset politike që pritet të zhvillohen pas zgjedhjeve dhe krijimit të institucioneve të reja.

Përmes një sqarimi publik, Haziri theksoi se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar dhe se Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i propozuar nga kjo parti për postin e Presidentes së Republikës.

Ai bëri të ditur se, në kuadër të debatit paszgjedhor, ka paraqitur në emër të LDK-së parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për një bashkëpunim të mundshëm politik, me synim krijimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend.

Haziri nënvizoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në periudhën e ardhshme, ndërsa çdo kërkesë politike do të trajtohet brenda strukturave legale të partisë.

Në reagimin e tij, ai theksoi se demokracia është e lidhur ngushtë me lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke shtuar se koncepti “një parti, një shtet” është një kauzë e humbur.

“Askush mbi Republikën”, përfundon reagimi i nënkryetarit të LDK-së.

Statusi në rrjetet sociale i Hazirit:

Sqari për interesimin e publikut

Asgjë s’ka ndryshuar. Nominimi për presidente i Vjosa Osmanit mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së. Në kuadër të debatit paszgjedhor, në emër të LDK-së kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm, për krijimin e stabilitetit politik dhe institucional.

Kryetari Lumir Abdixhiku mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në të ardhmen e afërt.

Kërkesat politike, ndërkaq, çfarëdo natyre qofshin, do të trajtohen brenda strukturave legale të LDK-së.

Demokracia është barazvlefshme me lirinë dhe pavarësinë e Republikës.

Kauza “një parti, një shtet” është kauzë e humbur.

Askush mbi Republikën!

 

Të ngjashme

Të fundit