Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka deklaruar se në takimin me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe opozitës, do të diskutohet për implementimin e marrëveshjes bazë të 28 shkurtit.
“Ne nuk jemi zyrtarisht të njoftuar as për çështje specifike të agjendës nesër e as për dokumentin e pesëshes që e ka sjellë në Prishtinë më herët apo edhe të zhvillimeve në Bruksel. Nga brenda ne kemi informacion dhe për aq sa jemi njoftu nga ekipet e BE-së dhe diplomatët e shteteve të QUINT-it në veçanti, por natyrisht që ka të bëjë me implementim. Pritet që në fokus me qenë çështja e implementimit të marrëveshjes së Ohrit tash po adresohet, po marrëveshja bazë është e Brukselit e 28 shkurtit”, tha Haziri në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Sipas Hazirit marrëveshja e Ohrit është marrëveshja më e “keqe: e realizuar pasi sipas tij, në atë marrëveshje janë katër kompromise të dhimbshme që kryeministri Kurti i ka bë.
“Tani krejtë kjo situatë është që ne duhet me thënë edhe sot, ne në atë marrëveshje i kemi pa katër gabime, katër lëshime kompromise të dhimbshme që zotëri Kurti i ka bë. Kemi thënë marrëveshja më e keqe e realizume dhe tani po e sheh që në hapa të dalin këto situata të reja. Për shembull marrëveshja e përkohshme mbrohet me njohjen de facto, kryeministri del para deputetëve nuk shpalos asgjë, thotë e kom pranu edhe thotë kush ju thotë që e kam pranu ende nxjerr mjegull në këtë proces, përderisa po-ja e thënë nuk ka zbrapsje, nuk ka me u kthy mbrapa”, shtoi Haziri.
Ndryshe, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka takuar sot përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ku kanë diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Sipas agjendës së tij, të martën Lajçak do t’i takoj krerët e tri partive opozitare, LDK, PDK dhe AAK.
Ndërkohë, gjatë ditës ishte raportuar në medie edhe për një takim të mundshëm me kryeministrin Albin Kurti, i cili takim nuk ka ndodhur.