2.8 C
New York
Wednesday, November 29, 2023

Buy now

Haxholli thotë se Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit

Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, ka thënë se Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka listuar disa fakte ku pretendon se ka kryer shkelje shteti serb, raporton Klan Kosova.

“1. Deri tani, Serbia nuk ka kthyer asnjë përgjigjeje në nivel të zyrtarëve ndërlidhës, në kërkesë nga Zyra Ndërlidhëse e RKS, se pse është ndërprerë praktika e ofrimit të sigurisë. Le ta publikojnë përgjigjeje nëse e kanë”.

“2. Duke ditur që institucionet e këtij vendi mund të mos kenë nivel të lartë të koordinimit, e kam shfrytëzuar këtë hendek, dhe këtë shqetësim e kam shtruar edhe përmes rrugëve operative, më saktësisht përmes zyrtarëve që janë marrë me komunikimin ndërlidhës për çështje të sigurisë”.

“3. Përgjigjja e organeve policore serbe, më saktësisht e të ngarkuarit serb për njësinë e cila ofron siguri, me iniciale J.O. ka qenë që për këtë mos ofrim të sigurisë, t’i drejtohemi Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë. Këtë përgjigjeje zyrtare dhe me shkrim nga J. O. përmes zyrtarëve të sigurisë, e kam të ruajtur si dëshmi për këtë ditë, për këtë deklaratë të rrejshme të MUP-it serb dhe sipas nevojës do ta ndaj me institucionet përkatëse”.

Sipas Haxhollit, kjo është një deklaratë e rrezikshme me potencial kërcënues nga një Ministri e cila udhëhiqet nga një ministër, dikur ish-ministër i mbrojtjes, i cili ka marrë vendime për klasifikim të dosjeve kriminale të krimeve të ushtarëve dhe paramiliatrëve serb gjatë luftës në Kosovë.

“MUP-i serb ka mundësi dhe le të ia dëshmojë mediave të tyre, meqë ka kamera pranë dhe në hyrje të ndërtesës ku unë banoj, se a kanë ofruar siguri statike dhe mobile në dy muajt e fundit. Nuk ka shans, dhe për këtë unë duke e kaluar çdo ditë pranë muraleve që idolizojnë luftërat kriminale, dhe duke ditur për dhjetëra grupe ekstreme, kam bërë pak ose aspak gjumë!”, ka shkruar Haxholli.

“Dhe për fund, është koha e fundit që Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, t’i pajisë zyrtarët e RKS me kartela diplomatike, që dëshmojnë lirimin nga taksat siç parashihet me marrëveshje të Brukselit, dhe të mos zhvatë më asnjë ditë paratë e Zyrës Ndërlidhëse të RKS-së, si dhe t’i rimbursojë 150 – 200 mijë euro dëmtim financiar të Zyrës Ndërlidhëse të RKS, për periudhën që kur janë themeluar Zyrat Ndërlidhëse respektove”, ka shtuar ai.

Haxholli ka kërkuar që Serbia t’i zbatojë obligimet që i ka nënshkruar të cilat sipas tij, nuk janë asgjë më shumë apo më pak se privilegje diplomatike dhe konsullore, me një emër tjetër.

“Dhe herët a vonë, të bëhet gati për Ambasadën e Republikës së Kosovës në Beograd, Serbi”, ka shkruar në fund Fatmir Haxholli.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit