Haxhiu u ftua në një aktivitet në margjinat e Samitit të NATO-s – s’shkoi për shkak të agjendës dhe s’e pa të rëndësishme

- Advertisement -

Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, ka thënë se Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së kreut të shtetit, është ftuar në një aktivitet në margjinat e Samitit të NATO-s në Ankara, por s’ka shkuar për shkak të angazhimeve të tjera në agjendën e saj dhe vlerësimit se ka qenë e panevojshme të shkonte.

“Në margjinat e këtij Samiti vitin e kaluar ishte ftuar ish-presidentja Osmani, sivjet është ftuar ushtruesja e detyrës së presidentit zonja Haxhiu. Ne kemi disutimet të vazhdueshme me znj. Haxhiu për pjesëmarrjen tonë në aktivitete që lidhen me NATO-n, në këtë rast ka qenë agjenda e saj që ia ka pamundësuar”, ka thënë Maqedonci për KosovaPress.

Maqedonci ka thënë se ftesa ka qenë për një diskutim “roundtable” në margjinat e Samitit, i cili, sipas tij, nuk e ka pasur temë Kosovën dhe kështu është vendosur që Haxhiu të mos shkoj fare.

“Kjo është një aktivitet nga Këshilli i Atlantikut, ftesa ka qenë për një takim njëditor, në roundtable, dhe vlerësoj se duke mos qenë pjesë e diskutimeve të Samitit, duke qenë vetëm në margjina të saj, është vlerësuar që të mos jetë pjesë ndoshta e atij aktiviteti roundtable. Kosova edhe këtë radhë është ftuar të jetë pjesë e margjinave, por Samiti është i dizajnuar për 32 vendet e NATO-s”, ka thënë Maqedonci.

Ministri në detyrë ka thënë se Kosova duhet të vlerësojë nëse duhet të marrë pjesë apo jo edhe nëse ftohet në aktivitete të tilla.

“Në margjina të këtij Samiti, unë besoj se vlerësohet a është e domosdoshme të shkohet apo jo, varësisht prej rëndësisë që e kanë këto takime të tjera”.

Samiti i NATO-s në Ankara të Turqisë u zhvillua në datat 07 dhe 08 korrik. Aty për dy ditë u takuan liderët të 32 vendeve anëtare të NATO-s dhe 10 të tjera jo-anëtare.

Të ngjashme

Të fundit