Haxhiu: Sistemi shëndetësor është shndërruar në sistem biznesi për grupe interesi

- Advertisement -

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu ka kritikuar gjendjen në sektorin e shëndetësisë, duke akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për, siç tha ai, keqmenaxhim, tenderomani dhe degradim të shërbimeve shëndetësore.

Haxhiu në një intervistë për Ekonomia Online tha se sistemi shëndetësor është shndërruar në një sistem biznesi në funksion të grupeve të interesit dhe se qytetarët po përballen me lista të gjata pritjeje dhe mungesë të barnave e materialeve mjekësore.

“Sistemi jonë shëndetësor tanimë është shndërruar në një sistem të biznesit për përfitime të grupeve të interesit të lidhura me Ministrinë e Shëndetësisë. Tanimë është evidente që ofrimi i shërbimeve shëndetësore nuk është në nivelin të cilin do të duhej të ishte, për më keq që këto shërbime shëndetësore po prolongohen dhe nuk po u ofrohen qytetarëve të Republikës së Kosovës. Listat e pritjes për marrjen e shërbimeve shëndetësore tanimë janë afër gjashtë vite, prej gjashtë muaj deri në gjashtë vite. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë merret me tenderomani. E keni parë dhe rastin e fundit të publikuar edhe në media, përveç atyre abuzimeve të tjera, tani edhe ambulantat të cilat janë të kontraktuara nga Ministria e Shëndetësisë, janë të pacertifikuara me çmime abuzive e në të cilat nuk garantojnë cilësinë e shërbimit për ata që kanë nevojë për të marrë një shërbim të shpejtë.”, tha Haxhiu.

Ai i bëri thirrje Prokurorisë që të veprojë lidhur me, siç u shpreh, abuzimet në sektorin e shëndetësisë.

“Unë ftoj Prokurorinë e Republikës së Kosovës që vërtet, ashtu siç kam kërkuar edhe më herët, që të lë një prokuror kujdestar për të gjitha këto abuzime të cilat pothuajse janë të përditshme në sektorin e shëndetësisë”, tha ai për Ekonimia Online.

Haxhiu tha se mungesa e furnizimeve me barna dhe materiale mjekësore ka ndikuar në rritjen e listave të pritjes, duke përmendur si shembull situatën në Ortopedi dhe Radiologji.

“Mungesa e furnizimeve të nevojshme me barna e me material mjekësor. Ju e dini që tani veç për proteza dhe material tjetër të nevojshëm mjekësor në Ortopedi po prolongohet pothuajse që një vit e gjysmë, me këtë menjëherë ka rritur listat e pritjes për pacientët. Gjithashtu edhe në sektorë të tjerë. Ato blerje të cilat janë bërë, po marrim shembull të rezonancave magnetike, janë bërë sa për të përfituar nga blerja e tyre. Ju rikujtoj që në vitin 2020 lista e pritjes në Radiologji për rezonancë magnetike ishte zero deri në një javë, ndërsa sot kjo listë e pritjes ka kaluar më shumë se gjashtë deri në tetë muaj. Si është e mundshme që me dy rezonanca magnetike në vitin 2020 të mos ketë listë të pritjes ose të jetë ajo një javë, ndërsa sot me pesë rezonanca magnetike lista e pritjes të jetë kaq e gjatë? Pra kjo tregon për një sistem shëndetësor i cili është marrë me tenderomani për përfitime personale të grupeve të caktuara të interesit dhe jo për të blerë aparaturë e cila kishte me i shërbyer pacientëve dhe që ata të mos prisnin në lista të gjata të pritjes.”, shtoi Haxhiu.

Ai tha se përgjegjës për gjendjen janë Ministria e Shëndetësisë dhe kryeministri, duke i akuzuar se janë fokusuar në renovime dhe jo në përmirësimin e shërbimeve.

“Edhe Ministria e Shëndetësisë edhe vet Kryeministri si Kryetari i Komisionit për Shëndetësi të cilin e ka vetëemëruar veten janë përgjegjës për këtë degradim të sektorit të shëndetësisë. Ata janë marrë kryesisht me disa renovime, fasadime të cilat kanë pasur qëllim përfitimet të grupeve të caktuara të interesit. Gjëra të cilat i kam bërë publike, të njohura për opinionin shumë më herët, me çmime abuzive janë rinovuar klinikat e caktuara me një kualitet jo të duhur, e pas një periudhe menjëherë ato janë demoluar e prishur dhe nuk ka pasur një qasje e cila kishte me ofruar dhe me rritur kualitetin në shërbimeve shëndetësore dhe që ato të jenë efikase në kohë për t’i shërbyer pacientit. Pra nuk ka përmirësim të sektorit të shëndetësisë që i rrit kualitetin e shërbimeve shëndetësore. Ka mungesë të madhe të barnave, dhe ka barna të cilat sot në treg janë me çmime abuzive”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit