Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas interpretimit të muzikës së një kënge nacionaliste serbe gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, Haxhiu e ka cilësuar këtë ngjarje si thellësisht shqetësuese, duke theksuar se kënga në fjalë promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës.
Ajo ka vlerësuar se një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk duhet të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve.
Haxhiu ka kërkuar sqarim nga Komisioni Evropian për përzgjedhjen e kësaj muzike, duke u bërë thirrje institucioneve evropiane që të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin.






