U.d presidentja, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar sot Nënë Terezën, me rastin e 5 Shtatorit, Ditës së Nënë Terezës.
“Sot, në Ditën e Nënë Terezës, nderojmë jetën dhe veprën e një gruaje shqiptare që u bë ndërgjegje e njerëzimit”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo ka theksuar se Nënë Tereza e kaloi jetën pranë atyre që vuanin, pranë të varfërve, të sëmurëve, të vetmuarve dhe të braktisurve.
“Madhështinë nuk e kërkoi në fjalë, por në shërbimin ndaj tjetrit, në përkushtim dhe në respektin e pakushtëzuar për jetën dhe dinjitetin e çdo njeriu”, ka thënë U.D. Presidentja.
Duke folur për trashëgiminë e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se prejardhja shqiptare e Nënë Terezës është burim krenarie, ndërsa vepra e saj i përket mbarë njerëzimit.
“Ajo la pas një shembull që nuk e humb fuqinë me kalimin e kohës dhe një porosi që mbetet po aq e rëndësishme për çdo brez: të mos kalojmë pa u ndalur pranë njeriut që vuan”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar rëndësinë që figura dhe trashëgimia e Nënë Terezës kanë për shqiptarët dhe për mbarë njerëzimin.
“Në këtë 5 shtator, Nënë Terezën e kujtojmë me krenari dhe me nderimin më të thellë. Ajo mbetet një prej figurave më të ndritura që kombi shqiptar i ka dhënë botës dhe një emër që njerëzimi e shqipton me respekt kudo”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.






