Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në zbulimin e muralit “Çast”, në komunën e Mitrovicës.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se murali “Çast” po kalon nga qyteti në qytet dhe po shndërrohet në udhë të kujtesës.
“Ai u vendos së pari në Prishtinë, pastaj ishim në Therandë, pastaj në Pejë, sot po vjen në Mitrovicë, dhe do të vazhdojë edhe në Drenas, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj e Prizren. Qytet pas qyteti, kjo e vërtetë po shënohet në muret e Republikës së Kosovës”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, kjo është një udhë e denjë për kujtesën, sepse sipas U.D. Presidentes Haxhiu kujtesa nuk mund të mbetet vetëm në salla përkujtimore.
“Duhet të jetë edhe në rrugë, pranë shkollave, pranë shtëpive, aty ku njerëzit kalojnë me punët e tyre, e, qoftë edhe për një çast, ndalen. Murali “Çast” u kushtohet personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë. Fjala “çast” duket e vogël. E thua shpejt. Por në jetën e njeriut ka çaste që zgjasin sa një jetë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej tha se të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës kanë pasur gjithmonë vend në kujtesën tonë.
“Atë vend e kanë pasur gjithmonë dhe me muralin “Çast”, e vërteta e tyre po merr vend edhe në muret e qyteteve të Kosovës sonë”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu tha se e mirëpresim secilin vendim që dënon kriminelët, që kanë kryer krime në periudhën më të vështirë të historisë sonë, atë të luftës.
“Prandaj, për shumë vite, të mbijetuarat dhe të mbijetuarit kanë pritur që krimi të hetohet, të ndiqet dhe të ndëshkohet me seriozitetin që kërkon pesha e tij. E unë sot, edhe njëherë, bëj thirrje te institucionet e drejtësisë që të vazhdojnë punën dhe angazhimin. Sepse siç të gjithë e dimë, krimet e luftës, përfshirë dhuna seksuale gjatë luftës, as nuk amnistohet, pra nuk falet e as nuk parashkruhet”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu, tha se ne e dimë që murali nuk e zëvendëson drejtësinë dhe nuk e mbyll dhimbjen, por sipas saj, ai e vendos në qytet një të vërtetë që nuk duhet të mbetet asnjëherë e fshehur dhe na rikujton se të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale meritojnë respekt, meritojnë mbështetje dhe vend të plotë në kujtesën e Republikës sonë.
“Qytet pas qyteti, ky mural po e bën më të vështirë heshtjen dhe më të pranishme kujtesën. Për këtë dua ta falënderoj Fondacionin Jahjaga, Presidenten Jahjaga, por edhe ekipin e saj, e gjithashtu edhe komunën, artistët dhe të gjithë ata që e kanë bërë të mundur këtë mural”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.






