U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, do të zhvillojnë homazhe sot, në shënim të Ditës së Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Sipas agjendës zyrtare, ceremonia e nderimeve do të mbahet në orën 11:30, pranë Monumentit dedikuar Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës, që ndodhet para ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kjo ditë shërben për të kujtuar dhe nderuar të gjithë personat që u zhdukën me forcë gjatë luftës, si dhe për të rikujtuar rëndësinë e zbardhjes së fatit të tyre. Përfaqësuesit institucionalë pritet të ritheksojnë përkushtimin për drejtësi dhe për të vërtetën, në mënyrë që familjet e të zhdukurve të gjejnë përgjigjet që presin prej vitesh.
Aktiviteti është pjesë e angazhimeve shtetërore për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive dhe për të kërkuar përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.






