31.1 C
New York
Wednesday, June 19, 2024

Buy now

Haxhiu: Askush nga partnerët ndërkombëtarë s’i beson Kurtit, me Osmanin u bënë bashkë për interesa individuale

- Advertisement -

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se ideja e kryeministrit Albin Kurti për ta dërguar draft-statusin e Asociacionit nga emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në komisionin e Venecias, është gënjeshtër e radhës, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i PDK-së ka pasur kritika të mëdha ndaj shefit të Qeverisë për “ndryshim qëndrimesh”, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e PDK-së që të përfshihet në dialog me Serbinë.

“Është pak problem edhe për neve me jep përgjigje në aspektin sa herë po gënjen Albin Kurti ose po i ndryshon qëndrimet ai dhe është goxha problematike me mbajt konsistencën në raport me atë që ai ndryshon vazhdimisht. Ne kemi deklaruar në fillim të këtij mandati që në raport me Serbinë, nëse kemi të bëjmë më marrëveshje finale me Serbinë me njohje reciproke, PDK-ja ka qenë e gatshme të përfshihet në procesin e dialogut”, ka thënë Haxhiu.

Sipas deputetit të PDK-së, Kurti vazhdimisht ka ndryshuar qëndrimet e tij dhe si pasojë e kësaj, Kosova ka pësuar vetëm dëme, nisur nga sanksionet e Bashkimit Evropian, e që një gjë e tillë ka çuar në një lloj mosbesimi ndaj Kurtit.

“Kemi pas disa ‘Albin Kurta’ të cilët i ndryshojnë qëndrimet, herë tjetër gjë për partnerët ndërkombëtarë e tjetër gjë për ata analfabetët funksional për të cilët flet ai dhe në fund kemi Kosovën tash e një vit nën sanksione nga BE-ja dhe ka përkeqësim të raporteve me partnerët strategjik SHBA-në NATON dhe BE-në dhe kjo ka çuar në një situatë ku më askush si beson Albin Kurtit nga partnerët ndërkombëtarë dhe kemi një izolim të Kosovës”, shtoi ai për EO.

Ndërsa, sa i përket mos-konsultimit mes Kurtit dhe Osmanit për ta dërguar letrën në Këshillin e Evropës, deputeti nga PDK-ja tha se nuk është diçka e re.

“Bashkimi i tyre ka qenë për interesa individuale dhe jo për interesin e Kosovës dhe çarja e tyre prapë do ndodh për interesa individuale dhe jo për interesin e Kosovës, pra hatërmbetjet e tyre mund të jenë të përkohshme ose pak më të gjata por për interesin personal të tyre dhe jo për qytetarët e Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu për Ekonomia Online.

Ndërkohë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së fundmi ka deklaruar se do bëjë kërkesë për ta dërguar në Komisionin e Venecias, draftin e Lajçakut duke thënë se Serbia ka shkelur 60 për qind të marrëveshjes.

“Asociacioni është i shprehur në dy marrëveshje në mesin e 39 marrëveshjeve që kanë bërë pararendësit e mi me Beogradin. Atje janë marrëveshjet, nuk e mohoj ekzistencën e tyre. Por marrëveshja e vitit 2013 e nënshkruar mes Thaçit dhe Daçiç, i ka 15 pika, 6 prej tyre janë për Zajednicën. Marrëveshjen më të dashur që ka Serbia kërkon 6 nga 15 pika që ta respektojë dhe ta zbatojmë ne. 60 për qind që e ka shkelur, nuk do që ta zbatojë. Në 2022 Beogradi dha urdhër në veri për zyrtarët që të tërhiqen nga sistemi i Kosovës. Nuk mund të kërkosh nga unë të zbatoj 40 për qind e marrëveshjes kur vetë ke shkelur 60 për qind”, u shpreh Kurti.

Kurse sa i përket raporteve me presidenten Osmani, kreu i ekzekutivit kishte thënë se kanë bashkëpunim të ngushtë, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë dallime

Në anën tjetër në një intervistë ekskluzive për Ekonomia Online, Osmani kishte deklaruar se oferta për Këshillin e Evropës ka ndryshuar zotimet mes krerëve të shtetit.

Presidentja kishte thënë se me letrën e dërguar nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka rënë në ujë oferta e nënshkruar nga tre liderët institucionalë që nuk duhet të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova.

“Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë, por do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftë se dikush vërtet deklaron diçka të tillë; sepse jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë, pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kanë qenë pikërisht përmes telefonit, sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit dhe të thuhet që një informatë kaq fondamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshuar në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajtur deri atë ditë; që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, kishte thënë Osmani.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit