Hasani tha se Haxhiu si u.d presidente nuk mund të mandatojë Kurtin, reagon Qorolli: “Interpretim i sajuar”

- Advertisement -

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ditë më parë në “Rubikon” te Adriatik Kelmendi tha se në bazë të Aktgyjikimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Albulena Haxhiu si kujdestare e institucionit të Presidentit, nuk mund të mandatojë Albin Kurtin për formim të qeveris, pa u zgjedhur së pari një president fuqiplotë nga Kuvendi i Kosovës.

Juristi i Vetëvendosjes, Vigan Qorolli, që s’arriti të zgjedhej deputet, ka dalë me një reagim ndaj Hasanit duke e quajtur “interpretim të sajuar” dhe se kjo gjë nuk është e shkruar “tekstualisht” në Aktgjykim.

Postimi i plotë:

ALBIN KURTI NUK BLLOKOHET ME INTERPRETIME TË SAJUARA!

I.

Po ndërtohet një tezë sipas së cilës ushtruesi i detyrës së Presidentit nuk mund ta caktojë mandatarin për Kryeministër, sikur funksioni presidencial të pushonte së ekzistuari pikërisht në çastin kur shteti ka më së shumti nevojë për vazhdimësi institucionale; mirëpo, ky ndalim nuk gjendet askund në Kushtetutë, nuk është shqiptuar në dispozitivin e aktgjykimit të fundit dhe nuk mund të krijohet më pas me interpretim politik.

II.

Ushtruesi i detyrës nuk është dekor protokollar dhe as President me gjysmën e kompetencave. Ai e ushtron funksionin presidencial përkohësisht, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, ndërsa neni 90 nuk ia heq kompetencën për caktimin e mandatarit. Nenet 84 dhe 95 nuk flasin për privilegjin personal të një individi, por për një detyrë kushtetuese të institucionit të Presidentit: që pas zgjedhjeve, vullneti i qytetarëve të shndërrohet në shumicë parlamentare dhe shumica parlamentare në Qeveri.

III.

Nuk mund të merret një paragraf që trajton shpërndarjen e Kuvendit dhe të shndërrohet në ndalim për formimin e Qeverisë. Aktgjykimet lexohen sipas objektit të çështjes, arsyetimit dhe dispozitivit të tyre, jo sipas dëshirës për t’u shtuar atyre fjali që Gjykata nuk i ka shkruar. Kushtetuta nuk ndryshohet me koment, ndërsa një kufizim i kompetencës nuk mund të lindë nga hamendja, sidomos kur pasoja e tij është bllokimi i institucioneve.

IV.

Pas konstituimit të Kuvendit dhe propozimit nga subjekti fitues, ushtruesja e detyrës së Presidentit znj. Albulena Haxhiu mund ta caktojë Albin Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë. Ky është zbatim tekstual i normës kushtetuese; nuk është assesi shmangie nga Kushtetuta, por ruajtje e vazhdimësisë së saj; mbi të gjitha është çështje e respektimit të vullnetit demokratik të qytetarëve.

V.

Kushtetuta nuk është instrument për prodhimin e bllokadës. Ajo është themeli mbi të cilin vullneti i popullit bëhet institucion dhe institucioni bëhet shtet.

Të ngjashme

Të fundit