Ish-deputeti Nait Hasani ka thënë se Ramush Haradinaj do të ishte zgjedhja e duhur për president të Kosovës në rrethanat aktuale politike.
Duke folur në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Hasani e lidhi çështjen e presidentit edhe me zhvillimet pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas tij, Kosova ka nevojë që në krye të shtetit të ketë një figurë të dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila do të mund ta përfaqësonte drejtpërdrejt narrativën e luftës çlirimtare në takimet ndërkombëtare.
Hasani tha se një profil i tillë do të duhej të kundërshtonte pretendimet që, sipas tij, e paraqesin UÇK-në si pjesë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.
Ai përmendi konkretisht Haradinajn, ish-komandant i Zonës Operative të Dukagjinit dhe ish-kryeministër i Kosovës.
“Sot për sot Kosova është në krizë. Edhe për president, po dhe në rrethanat pas vendimit të Gjykatës Speciale. Neve duhet t’i tregojmë botës se nuk jena ndërmarrje e përbashkët kriminale.”
Hasani argumentoi se përballë kësaj situate, sipas tij, presidenti i ardhshëm duhet të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me luftën e UÇK-së dhe ta përfaqësojë atë histori në kontaktet me liderët ndërkombëtarë.
Në këtë kontekst, ai e veçoi Haradinajn si figurën që do të mund ta merrte këtë rol, duke iu referuar së kaluarës së tij në UÇK dhe historisë së familjes Haradinaj gjatë luftës.






