Hasani i Llapit, më i miri i xhiros

- Advertisement -

Sulmuesi i Llapit, Arianit Hasani ka fituar epitetin e futbollistit më të mirë për xhiron e fundit në Superligën e Kosovës.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka njoftuar të hënën, se Hasani është shpallur “Ylli i Javës” duke e fituar çmimin për lojtarin më të mirë të xhiros së 34-të.

Komisioni i Veteranëve të futbollit, ka vlerësuar Hasanin si më të mirën pas paraqitjes së tij në ndeshjen Gjilani – Llapi.

Në fakt, Hasani ishte më i merituari për fitoren e Llapit 2:1, pasi shënoi të dy golat kundër Gjilanit për t’i siguruar tri pikë të rëndësishme për ekipin e tij.

Pasi mori çmimin e më të mirit, Hasani është shprehur tejet i lumtur për suksesin e arritur dhe fitoren e skuadrës së Llapit në udhëtim.

Ai pranoi se Llapi kishte synime tjera këtë sezon, por shtoi se shpreson që në fund të sezonit të ikin nga pozita e tetë në tabelë, e cila dërgon në barazh.

Hasani falënderoi bashkëlojtarët dhe trajnerin Tahir Batatina për çmimin e fituar, duke shtuar se shpreson që Llapi të vazhdojë me rezultate pozitive edhe në ndeshjet e ardhshme.

Deri në fund të sezonit aktual, kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar, ku Llapi do të përballet me Malishevën në shtëpi dhe Ferizajn në udhëtim.

Të ngjashme

Të fundit