Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, ka kujtuar hyrjen në Kosovë të trupave britanike, duke thënë se politikat katastrofike të Slobodan Millosheviqit çuan në krime lufte dhe represion të dokumentuar gjerësisht në Kosovë.
Ambasadori, ka shtuar edhe se, Mbretëria e Bashkuar është krenare për rolin e saj në Kosovë në vitin 1999 dhe që atëherë, shton ai, ajo mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për drejtësinë ndërkombëtare, përgjegjshmërinë dhe respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.
‘’ Kosova mori vendimin e vështirë për të themeluar dhe mbështetur Dhomat e Specializuara, duke e ditur se ato mund të hetonin disa nga figurat më të njohura të organizatave që ishin në qendër të luftës së saj për çlirim. Kosova mund të jetë krenare për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të mbështetur parimin se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Ky është një shembull i rëndësishëm për të gjithë rajonin’’, ka shkruar mes tjerash Hargreaves.
Ambasadori shton edhe se, dënimi i ish-krerëve të UÇK’së ‘’kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme’’, dhe se, ‘ato në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë, sovranitetit apo të drejtës së Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë me vendosmëri. Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimet e tyre’’.,
Postimi:
Në qershor të vitit 1999, trupat britanike kaluan kufirin këtu, në Han të Elezit, si pjesë e misionit të NATO-s, të autorizuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndaluar spastrimin etnik dhe dhunën ndaj popullsisë civile në Kosovë. Politikat katastrofike të Slobodan Millosheviqit çuan në krime lufte dhe represion të dokumentuar gjerësisht në Kosovë. Qindra mijëra shqiptarë etnikë u detyruan të largoheshin nga Kosova ose u zhvendosën brenda vendit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përfshirë Rusinë, shprehu vazhdimisht shqetësimin e tij të thellë për situatën e rëndë humanitare. Millosheviqi refuzoi të gjitha përpjekjet për paqe, duke çuar në fushatën ajrore të NATO-s në vitin 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
Mbretëria e Bashkuar është krenare për rolin e saj në Kosovë në vitin 1999 dhe që atëherë. Ajo mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për drejtësinë ndërkombëtare, përgjegjshmërinë dhe respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare. Kosova mori vendimin e vështirë për të themeluar dhe mbështetur Dhomat e Specializuara, duke e ditur se ato mund të hetonin disa nga figurat më të njohura të organizatave që ishin në qendër të luftës së saj për çlirim. Kosova mund të jetë krenare për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të mbështetur parimin se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Ky është një shembull i rëndësishëm për të gjithë rajonin.
Dënimet e fundit kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme. Ato në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë, sovranitetit apo të drejtës së Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë me vendosmëri. Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimet e tyre.
Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj së vërtetës për Ballkanin Perëndimor dhe pajtimit të qëndrueshëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët në të gjithë rajonin dhe në nivel ndërkombëtar, në mbështetje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të begatë për të gjitha komunitetet.






