Haradinaj: Shqipëria marrëveshjen për gazin amerikan, Kosova ia paguan milionat Serbisë

- Advertisement -

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale për politikat energjetike, duke thënë se Kosova po paguan qindra miliona euro për energji që, sipas tij, përfundojnë në Serbi përmes ndërmjetësve të lidhur me njerëz të afërt të pushtetit, raporton Scanner.

Haradinaj theksoi se, në kohën kur Shqipëria ka firmosur një marrëveshje strategjike për furnizim me gaz amerikan, Kosova ka humbur mundësi të mëdha për siguri energjetike dhe ulje të kostove.

Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti se, menjëherë pas ardhjes në pushtet, anuloi projekte të rëndësishme, përfshirë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” dhe refuzoi projektin e gazsjellësit amerikan Shkup–Prishtinë.

Sipas Haradinajt, nëse këto projekte nuk do të ishin bllokuar, Kosova sot do të kishte një furnizim më të qëndrueshëm me energji dhe nuk do të varej nga importi apo, siç e quajti ai, “mafia energjetike”.

Ai shtoi se vendi rrezikon të mbetet pa stabilitet energjetik si në verë ashtu edhe në dimër, duke e konsideruar këtë si pasojë direkte të vendimeve të qeverisë aktuale.

Postimi i plotë:

Përderisa Kosova po paguan qindra miliona euro për Serbinë për energji, përmes sekserëve të lidhur me njerëz të afërt të kryeministrit, Shqipëria firmosi marrëveshjen strategjike për gazin amerikan, e cila do t’i sigurojë furnizim stabil me energji dhe kosto të ulët.

 

Kurti, sapo erdhi në pushtet, u kujdes që ndër vendimet e para të tij të ishte anulimi fillimisht i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” dhe refuzimi i gazsjellësit amerikan.

 

Sot, milionat e Kosovës nuk do të shkonin në Serbi, sikur Qeveria Kurti të mos e kishte anuluar ndërtimin e Termocentralit të ri. Sikur të mos ishte bllokuar projekti amerikan i gazsjellësit Shkup–Prishtinë, një projekt me përfitime të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.

 

Sigurisht, Kosova do të bëhej fuqi energjetike në Ballkan dhe nuk do të mbetej në terr as verës e as dimrit, e aq më pak e varur nga mafia energjetike.

Të ngjashme

Të fundit