Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi ministri i Financave, Hekuran Murati njoftoi se pensionet jane realizuar me rritje prej 20%.
Haradinaj ka thënë se pensionet janë aq të ulëta sa rritja e tyre prej 20% nuk përbën asnjë ndryshim dhe se lajmi që ka nisur pagesa e pensioneve me rritje është përpjekje e radhës për manipulim.
“Lajmi se paska nisur pagesa e pensioneve me rritje prej 20% është përpjekje e radhës e kësaj qeverie për të manipuluar me shifra e përqindje. Pensionet në Kosovë janë aq të ulëta sa rritja prej 20% e tyre nuk përbën asnjë ndryshim”, ka thënë Haradinaj.
“Rritja minimale e pensioneve qysh sot duhet të jetë më e pakta 50%. Ky është zotim i përfshirë në programin e Aleancës dhe partnerëve në koalicion i cili do të zbatohet menjëherë, duke e përcjellur trajektoren e rritjes vjetore prej 10% për gjitha skemat pensionale në Kosovë”, është shprehur Haradinaj.