Haradinaj kritikon institucionet për mungesën e veprimeve pas vendimit në Hagë

- Advertisement -

Opinionistja Meliza Haradinaj ka kritikuar institucionet e Kosovës për mungesën e veprimeve pas vendimit ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Ajo ka thënë se Kosova nuk ka kërkuar reciprocitet nga Serbia dhe se një votim për ndryshimet ligjore nuk duhet të konsiderohet si përfundim i angazhimit të shtetit.

“Edhe sot pas gjashtë vitesh gjykim të krerëve të UÇK-së dhe pas një vendimi drakonik ndaj tyre, ne sot nuk marrim asnjë meritë për hapin e madh dhe të gabuar në dëmtimin, në vetëshkatërrimin sot si shtet që kemi bërë me Gjykatën Speciale. Asnjëherë nuk kemi kërkuar reciprocitet që të njëjtat veprime t’i bëjë Serbia, pra këto janë dështimet tona”, ka deklaruar Haradinaj në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.

Ish-ministrja e Jashtme ka kritikuar gjithashtu mungesën e një strategjie shtetërore për të ndihmuar në procesin e Apelit, duke thënë se institucionet është dashur të vepronin më herët dhe të vazhdonin angazhimin edhe pas votimit.

“Ne po mendojmë që me një veprim, me një votim e kemi konsideruar ligjin si strategji që aty fillon dhe mbaron puna jonë, puna është dashur të nisej shumë më herët dhe të vazhdojë edhe më tej. I numëroj ditët, ka kaluar një muaj pothuajse nga vendimi drakonik. Gati një muaj dhe ende nuk kemi asnjë veprim shtetëror, asnjë strategji, asgjë në drejtim të ndihmës së Apelit. Asnjë grup punues, asgjë fare. Ne pritjet i kemi shumë të larta, ndërsa detyrat e shtëpisë nuk i bëjmë”, ka thënë Haradinaj.

Të ngjashme

Të fundit