Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK – NISMA – KONSERVATORËT – FORUMI INTELEKTUAL E30 – IDEAL, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi zgjedhor në Istog, ka theksuar rëndësinë strategjike të këtij qyteti dhe kontributin e tij në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Haradinaj e vlerësoi Istogun dhe rrethinat e tij si një forcë që ka ndikim të madh në historinë dhe të ardhmen e Kosovës. “Istogu me rrethinë – bukur shpesh e ka dridhë Serbinë. E jo vetëm, por edhe të gjithë ata që më qëllime të këqija i vërsulen Atdheut tonë,” ka deklaruar ai.
Ai po ashtu theksoi se nga kjo tokë e pasur do të rritet një Kosovë e zhvilluar dhe e sigurt për të gjithë qytetarët e saj. “Nga toka e pasur e Istogut do të rritet një Kosovë për të gjithë, e zhvilluar dhe e sigurt. Numri kaq i madh i juaj është garanci për këtë objektiv,” ka thënë Haradinaj, duke shtuar se kjo masë e madhe mbështetjeje është një garant për suksesin e projektit të tij.