Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, është zotuar për zbatimin në plotni të Ligjit për trashëgiminë ku çdo grua të jetë trashëguese dhe bartëse e barabartë e pronës së paluajtshme.

Haradinaj në vazhdën e prezantimit të programit zgjedhor, ka thënë se gruaja në shoqërinë tonë duhet të ketë trajtim më të avansuar.

“Gruaja në shoqërinë e në shtetin tonë, duhet të ketë një trajtim shumë më të avansuar. Ajo më në fund duhet të jetë krejtësisht e barabartë. Vetëm me përdorimin e slloganeve se gruaja është e barabartë dhe do t’i zbatojmë kuotat gjinore, nuk i përmbushim obligimet tona.
Para se me masa administrative e me vendosjen e kritereve gjinore, duhet të punojmë në vetëdijësimin e secilit prej nesh, ku njëherë e përgjithmonë do të hiqet dorë nga të ashtuquajturat norma kanunore mbi të drejtat e grave”, ka thënë Haradinaj.

 

Postimi i plotë:

PËR GRATË: NGA E DREJTA E TRASHËGIMISË TE FUQIZIMI EKONOMIK

Gruaja në shoqërinë e në shtetin tonë, duhet të ketë një trajtim shumë më të avansuar. Ajo më në fund duhet të jetë krejtësisht e barabartë. Vetëm me përdorimin e slloganeve se gruaja është e barabartë dhe do t’i zbatojmë kuotat gjinore, nuk i përmbushim obligimet tona.

Para se me masa administrative e me vendosjen e kritereve gjinore, duhet të punojmë në vetëdijësimin e secilit prej nesh, ku njëherë e përgjithmonë do të hiqet dorë nga të ashtuquajturat norma kanunore mbi të drejtat e grave.

Është e pamundur të flasim për barazi gjinore e në praktikë të zbatojmë të drejtat kanunore.

Ndryshimi i parë i menjëhershëm do të jetë zbatimi në plotni i Ligjit për trashëgiminë ku çdo grua të jetë trashëguese dhe bartëse e barabartë e pronës së paluajtshme.

Arsimi, domosdoshmërisht do të përshtatet me nevojat e tregut të punës dhe do të na mundësojë identifikimin e veprimtarive ekonomike, të përshtatshme për punësimin e grave. Shkalla e punësimit të tyre në sektorin publik, do të jetë shumë më e lartë.

Shteti do të ofrojë garanci dhe do të subvencionojë hua për biznese që udhëhiqen nga gratë.

Do ta zbatojmë orarin fleksibil për gratë shtatzëna dhe ato që kanë fëmijë nën moshën shkollore.

Krijimi i familjes është sfidë dhe gruaja ka rol vendimtar në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e saj prandaj edhe duhet t’i njihet kontributi.

Nënat që kanë 3 e më shumë fëmijë do të përfshihen në pagën minimale prej 500 eurosh.

Shtesat mujore për çdo fëmijë të moshës nën 6 vjeç, do të jenë 150 euro, kurse për fëmijë mbi këtë moshë 200 euro.

Shteti do të mbështes krijimin e familjeve të reja dhe rritjen e tyre. Për fëmijën e parë do të jepen 1500 euro, për të dytin 2500 dhe për të tretin 3500.

Gratë e vajzat e Kosovës, me suksese të jashtëzakonshme në sport, në art, në biznes, por edhe në arsim e në shkencë, na kanë bërë krenarë. Është përcaktim i koalicionit për Kosovën Fituese që shteti e shoqëria t’i mbështesë, t’i inkurajojë dhe të investojë më shumë për to. Është investim për të sotmën dhe të ardhmën tonë