Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tropojës, ku katër personalitete u shpallën “Qytetar Nderi” për kontributin e tyre në shërbim të atdheut dhe kombit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka vlerësuar rolin e patriotëve nga Shqipëria që iu bashkuan luftës për çlirimin e Kosovës, duke theksuar se shumë prej tyre i kishte njohur në frontet e luftës.
“Luftës për çlirimin e Kosovës iu bashkuan shumë patriotë nga të gjitha trojet shqiptare. Shumë prej tyre që ishin nga Shqipëria pata fatin t’i njoh personalisht në frontet e luftës. Ishin ushtarakë me përvojë, të cilët me dijen, profesionalizmin e tyre dhanë ndihmë të jashtëzakonshme në organizimin dhe rrjedhën e luftës”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka bërë të ditur se në ceremoninë e mbajtur në Tropojë u nderuan me titullin “Qytetar Nderi” Halil Kuçana, ish-komandant i Brigadës së Tropojës, Avni Hoxha, punonjës në institucionet e sigurisë, Rexhep Kortoçi, ish-ushtarak dhe komandant i Policisë Ushtarake, si dhe Selim Demushi, ushtarak dhe ish-komandant i Batalionit të Kufirit në Tropojë.
Haradinaj ka njoftuar gjithashtu se, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në çlirimin e Kosovës, i ka dekoruar me medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”.
“Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në çlirimin e Kosovës dhe për shërbimin ndaj kombit, pata nderin t’i dekoroj me medaljen ‘Me besim në Zot, Atdhe e Shtet’”, ka theksuar ai.
Haradinaj ka shprehur respekt për të gjithë ata që kontribuan në luftën për liri.
“Krenar me rrugën tonë për liri. Nderim i përjetshëm për të gjithë ata që i dolën zot atdheut”, ka shtuar Haradinaj.






