Hamza: Qytetarët duhet me pasë shpresë, Kosova po zbrazet

- Advertisement -

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se pret rezultat të ndryshëm në zgjedhje, duke u bazuar në zhvillimet dhe të dhënat aktuale në vend, ndërsa ka thënë se ndërrimi i pushteteve është proces i shëndetshëm në demokraci.

“Në zgjedhje pres rezultat ndryshe në bazë të zhvillimeve dhe të dhënave. Ndërrimi i pushteteve ndodh gjithkund, është i shëndetshëm kur ndodh. Normalisht, pritjet e njerëzve kanë qenë që me ndryshimin e partisë politike në pushtet do të shohin ndryshime pozitive. Kanë pritur ndryshime që prej 2019, por në fakt ndryshimet nuk kanë ndodhur në shumë fusha, përkundrazi ka pasur regres. Ndryshimet me këtë pushtet janë minimale dhe në shumë vende kemi degradim të qeverisjes”, tha Hamza në ”Click” të RTV21.

Ai shtoi se kritikat e tij bazohen në fakte konkrete për gjendjen në vend.

“Unë flas vetëm me fakte. Nëse them se nuk është ndërtuar asnjë projekt, kapacitetet e reja energjetike nuk ekzistojnë. Nëse flas për kapjen e institucioneve, janë fakte. Nëse flas për gjendjen e ndërmarrjeve publike, po ashtu janë fakte”, u shpreh ai.

Hamza theksoi se qytetarët kanë nevojë për shpresë dhe zhvillim, duke paralajmëruar për rrezikun e zbrazjes së vendit.

“Qytetarët e këtij vendi duhet me pasë shpresë. Kosova po zbrazet, po e humb asetin kryesor – resurset njerëzore. Na duhet zhvillim, stabilitet dhe ekonomi, jo përplasje. E kuptoj kritikën, është shumë mirë që Kosova është vend demokratik”, deklaroi Hamza.

Të ngjashme

Të fundit